E diela ditë jo pune, “përplasje” mes kryeministrit dhe ministrit të ekonomisë

Ideja që e diela të jetë ditë jo-pune për të gjithë ka shkaktuar polemikë në Qeveri. Kryeministri Zoran Zaev ua paraqiti këtë përfitim punonjësve në sektorin privat, por me këtë nuk pajtohet ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Ai dje sugjeroi që sektori i hotelierisë, turizmit dhe punonjësit e shitjes me pakicë të vazhdojnë të punojnë të dielave. Në ekzekutiv thonë se shqyrtojnë të gjitha propozimet që vijnë nga palët e interesuara.

Në përputhje me parimet demokratike dhe rregullat e qeverisjes së mirë, kjo Qeveri ka qenë e përkushtuar për transparencë dhe gjithëpërfshirje të të gjithë aktorëve social që nga fillimi. Si pasojë e kësaj, aktualisht ka një debat dhe arsyetimi i të gjithëve është vendosur në tryezë dhe të gjitha aspektet po merren parasysh – njoftojnë nga Qeveria.

Përderisa anëtarët e qeverisë nuk merren vesh nëse duhet të punohet ose jo të dielën, sindikatat kanë treguar tashmë se ndihen të mashtruara. Sindikatat në vend shpallën fitore të madhe kur Kryeministri Zaev njoftoi personalisht më 3 nëntor se të dielën askush nuk do të punojë përveç zjarrfikësve, pjesë e sektorit shëndetësor dhe policisë.

Analizat dhe shembujt tregojnë se punëtori do të jetë më produktiv, do të ketë më shumë kohë për familjen, për pushim dhe ngritje profesionale dhe arsimim të mëtejshëm, lidhur edhe me shëndetin e punëtorëve, dhe detyrimet mund të përfundojnë gjatë javës, dhe në të njëjtën kohë biznesi nuk do të vuajë as punëtorët e as qytetarët – thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM).

Nga Konfederata e Sindikatave të Lira theksojnë se nëse duhet të punohet të dielën, së paku duhet të paguhet me mëditje më të lartë për 50 për qind. Ndërsa Ligji i ri për Marrëdhëniet e Punës është duke u përgatitur, nga Ministria e Shoqërisë Informatike thonë për Alsat se do të kërkojnë ndryshime në Ligjin për sektorin publik i cili do të rrisë aktivitetet që duhet të punojnë të dielave.

Ile Petreski

LEXO EDHE:

Back to top button