Edhe në Krushevë uji është i ndotur: Janë gjetur baktere, ndalohet për konsumim

Gazetar: Suad Bajrami

Helmimi me ujë të pijshëm i mijëra qytetarëve të Gostivarit ndezur alarmin e autoriteteve në mbarë vendin për të verifikuar cilësinë e ujit. Qendra për Shëndet Publik në Prilep, ka gjetur baktere fekale edhe në ujësjellësin e Krushevës për çka ka dhënë urdhër që të mos konsumohet.

“Gjatë kontrollit të rregullt të cilësisë së ujit dhe sigurisë së ujit për pije në ujësjellësin e qytetit të Krushevës nga ana e Qendrës për Shëndet Publik-Prilep është kontatuar mungesë e klorit rezidual në ujë, por edhe parregullsi bakteriale, gjegjësisht gjetje të baktereve me origjinë të zorrëve…Banorëve të qytetit të Krushevës u rekomandohet që për pirje të përdorin ujë të ambalazhuar, ndërsa ujin nga ujësjellësi i qytetit ta përdorin për higjienë personale, përgatitjen e ushqimit, larjen e rrobave dhe enëve vetëm pasi të jetë valuar për të paktën 10 minuta”, thonë nga Qendra e Shëndetit Publik.

Këto rekomandime do të mbeten në fuqi deri sa të merren tre mostra radhazi të ujit që rezultojnë të rregullta dhe në përputhje me standardet.

Ndërkohë uji për pije është i ndaluar edhe në Vallandovë, për shkak se analizat kanë treguar prani të lartë të substancës kancerogjene arsen. Pavarësisht rezultateve, kreu i komunës Gjoko Kamçev, dje për Alsat deklaroi se ka bërë analiza të tjera të cilat kanë treguar rezultate të ndryshme, ndërsa theksoi se banorët e Vallandovës e konsumojnë këtë ujë mbi 50 vite dhe nuk ka paraqitur rrezik për shëndetin e tyre. Sipas rekomandimeve uji lejohet vetëm për nevoja teknike.

Nga opozita theksojnë se çështja e cilësisë së ujit është alarmante edhe në vende tjera. Gjatë muajit maj, sipas dokumenteve që i publikoi LSDM, pacientët e Spitalit për Sëmundje të Mushkërive në Leshkë kanë konsumuar ujë të ndotur me baktere koliforme.

Nga dega e LSDM-së në Debërc njoftojnë se deri tek ata kanë arritur të sigurojnë filmime në të cilat shihet duke u derdhur ujëra të zeza nga sistemi i kanalizimit direkt në lumin Sateska.

LEXO EDHE:

Back to top button