Ish kryetari i FFM-së Muhamet Sejdini doli nga paraburgimi, do të mbrohet në liri

Gazetar: Suad Bajrami

Pas 3 muajve në paraburgim, ish kreu i Federatës së Futbollit të Maqedonisë Muhamet Sejdini do të mbrohet në liri pasi Gjykata Penale e Shkupit e ka pranuar garancinë në vlerë prej 1 milion e 150 mijë euro e cila përbëhet nga hipoteka ndaj pronës së patundshme. Me këtë rast, Gjykata Sejdinit i ka caktuara masa më të lehta kujdesi, respektivisht ia ka marrë pasaportën.

“Pas dorëzimit të propozimit për shfuqizimit të masës së paraburgimit me caktimin e garancisë dhe marrjen e mendimit pozitiv nga prokurori, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi vendim me të cilin e pranoi propozimin dhe garancinë e ofruar, ndërsa duke e pasur parasysh se kundër vendimit nuk u deklarua ankesë, e njëjta u bë e plotfuqishme, pas çka i dyshuari është lëshuar të mbrohet në liri”, thonë nga Gjykata Penale e Shkupit.

Sejdini dyshohet për veprën penale “Mashtrim në shërbim” pasi sipas gjetjeve të Prokurorisë, në periudhën prej nëntorit deri në dhjetor të vitit 2024 si kryetar i FFM-së, ka përfituar në mënyrë të paligjshme në vlerë prej 660 mijë eurosh për një kompani nga Shkupi. Dyshimet janë se keqpërdorimi është kryer gjatë shfrytëzimit të fondeve nga programi i UEFA-s për ndërtimin e tribunës së stadiumit “Burimet e Biljanës” në Ohër, rast ky për të cilin Alsat kishte raportuar paraprakisht se ka bazë për shpërdorime.

Ndërkohë në qershor të këtij viti, emri i Muhamet Sejdinit u gjet edhe në hetimin e Policisë Financiare nën dyshimin se së bashku me 17 persona të tjerë kanë shpërdorur 2,9 milionë euro. Hetimi ka zbuluar se të dyshuarit, përmes keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe në koordinim me një person udhëheqës në FFM, kanë tërhequr në mënyrë të paligjshme para nga Federata.

Të dyshuarit, drejtuesit, pronarët dhe personat e autorizuar të personave juridikë, në emër të tyre dhe për llogari të tyre, kanë lëshuar fatura të rreme për shërbime gjoja të kryera dhe mallra të dorëzuara për FFM-në. Në bazë të këtyre faturave, e dyshuara janë përgatitur urdhërpagesa, të cilat më pas u janë dorëzuar personave përgjegjës në FFM për miratim dhe nënshkrim. /Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button