Prokuroria vijon me mbledhjen e provave për helmimin e mijëra banorëve me ujë të pijshëm në Gostivar
Gazetar: Suad Bajrami
Prokuroria Publike vazhdon me mbledhjen e provave për helmimin e mijëra banorëve të Gostivarit me ujë të pijshëm. Për shkak se hetimi vazhdon, organi i akuzës mbetet i rezervuar të sqarojë nëse dhe në çfarë drejtimi mund të zgjerohet hetimi.
“Nuk ka diçka të re që mund ta ndajmë në lidhje me këtë, po mblidhen provat”, thonë shkurt nga Prokuroria.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski konfirmoi se për rastin janë ftuar shumë persona në bisedë informative, ndërsa po hetohen të gjitha pistat.
“Numër i madh i njerëzve janë ftuar në bisedë lidhur me këtë rast. Po ndërmerren veprime hetuese në kuadër të asaj që është dhënë si urdhër nga ana e Prokurorisë Publike. Gjithsesi se të gjitha informatat të cilat janë të nevojshme për t’u njoftuar opinioni, do të njoftohen në atë moment kur të mundemi t’i njoftojmë”, tha dje Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Për incidentin me ujin në Gostivar, deri tani në cilësinë e të dyshuarve janë në paraburgim tre drejtues të Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, Artana Asani dhe dy bashkëpunëtorët e saj, udhëheqësin e Departamentit të Ujësjellësit, Vadedin Dervishi dhe drejtorin teknik, Leon Nuredini. Ata ndiqen pasi kanë vendosur pompa në ujësjellës me qëllim për ta rritur shtypjen e ujit, mirëpo pompat kanë injektuar ujë të ndotur me fekale.
Ndërkohë pritet të shihet nëse do të jetë fokus i hetimit edhe rrethana kontradiktore me rezultatet e Qendrës për Shëndet Publik. Sipas Prokurorisë, ujësjellësi është ndotur me fekale në periudhën nga 25 qershor deri më 16 korrik nga pompat, megjithatë gjatë kësaj periudhe Qendra për Shëndet Publik ka informuar dy herë autoritetet se uji në Gostivar është i rregullt.
Një pistë tjetër hetimi kërkon edhe partia në pushtet VLEN lidhur me projektin SECO 2 me peshë mbi 7 milionë euro, i cili ka filluar të realizohet në vitin 2020, por që sipas tyre nuk shihet askund. Projekti parashikonte ndërtimin e dy rezervuarve të ujit dhe rikuperimin e gypave të ujit me qëllim të normalizimit të shtypjes së furnizimit me ujë në Gostivar. Kryetari Arben Taravari asokohe kishte deklaruar se me këtë projekt të financuar nga Komuna dhe Zvicra, problemi me ujin do të zgjidhet për 100 vitet e ardhshme. /Alsat.mk.








