Trump paralajmëron Iranin: Dëmet ndaj anijeve në Hormuz do të paguhen nga asetet iraniane

Gazetare: Lisa Alili

Sulmet amerikane ndaj objektivave në Iran kanë vijuar në të trembëdhjetën natë radhazi ndërsa konflikti ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi. Tensionet janë përhapur edhe në rajon me shpërthime pranë një baze amerikane në Erbil të Irakut.

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një përgjigje të ashpër ndaj Iranit dhe rebelëve Huthi, pas sulmeve ndaj dy tankerëve sauditë në Detin e Kuq. Sulmet kanë rritur shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Nafta Brent ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se çdo dëm që do i shkaktohet anijeve në Ngushticën e Hormuzit do të paguhet me asetet iraniane që janë në dorën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nga tash e tutje, çdo dhe i gjithë dëmi që i shkaktohet anijeve, anijeve të mallrave apo çdo gjëje që lidhet me to, do të paguhet me paratë iraniane që Shtetet e Bashkuara i kanë në zotërim dhe i kontrollojnë”, deklaroi Donald Trump, President amerikan.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaratat e presidentit amerikan i quajti precedent nxitës duke paralajmëruar se sapo qeveritë ta normalizojnë konfiskimin, asetet e askujt nuk do të jenë më të sigurta.

“Sekuestrimi i aseteve të një shteti tjetër për të paguar pretendime në të ardhmen që nuk kanë lidhje me to është një precedent nxitës. Ata që festojnë ose përfitojnë nga këto fonde duhet të kujtojnë se sapo qeveritë ta normalizojnë konfiskimin, asetet e askujt nuk do të jenë më të sigurta. Kaosi që do të pasojë nuk do të jetë as i bukur dhe as paqësor”, tha Abbas Araqchi, Ministër i Jashtëm iranian.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa përshkallëzimi i luftimeve dhe kërcënimet ndaj rrugëve kryesore të transportit detar ngrenë frikën për një zgjërim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button