Në ditën 55-të të protestave në Shqipëri, Edi Rama mblodhi ministrat dhe deputetët

Gazetare: Amila Rashiti

Policia e Tiranës ka arrestuar 2 protestues, si dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 30 të tjerë, pasi i akuzon se hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar të enjten pranë Parlamentit. Gjatë tubimit u dëmtuan 6 punonjës policie të cilët morën mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Për shkak të lëndimeve dhe gazit lotsjellës edhe disa protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Në ditën e 55-të të protestës, kryeministri shqiptar Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS dhe kabinetit, u shpreh se ka reflektuar në lidhje me protestën. Ai tha se të gjithë ata që kanë dalë në protestë, dhe që sipas tij janë të shumtë, kanë dalë sepse presin më shumë nga kjo qeveri, dhe i quajti ata matës të nivelit të standardeve të qeverisë së tij. Rama tha se Zvërneci është tokë private, ndërsa përjetimi i protestuesve ishte se po e shisnim Shqipërinë

“Ne lartë ishim faktet, njerëzit poshtë kishin përjetimi. Fakti ynë ishte se investimi i Zvërnecit ishte tokë private, përjetimi i tyre ishte së toka e shtetit po ju shitet të huajve. Fakti ynë ishte së projekti është ende sot që flasim në duart e një skuadre të arkitektëve, inxhinierësh, gjeologë, hidrologë ndër më të mirët në botë, fakti i tyre ishte se ndërtimi kishte nisur dhe projekti duhej anuluar, faktet e tona thoshin se ne kemi të vërtetën por përjetimi i tyre ishte se e vërteta ishte e gjitha në anën e tyre”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Protestat në Shqipëri, të quajtura “Revolucioni i Flamingove”, sot hyjnë në ditën e 55-të.
Ato nisën fillimisht si kundërshtim ndaj projektit të mbështetur nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës. Por, më pas kërkesat u zgjeruan, duke përfshirë edhe pakënaqësi të tjera që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, zhvillimit urban, menaxhimin e territorit dhe çështje të tjera sociale dhe politike./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button