Edhe Seria A, ka një bomber të stilit “Halaand”

Katër gola në katër ndeshjet e fundit dhe e gjithë bota e futbollit është e çmendur të dijë të shqiptojë mbiemrin e tij. Rasmus Hojlund është sensacioni më i ri i futbollit në Itali. Sulmuesi danez 19-vjeçar i Atalantës ka rrëmbyer zemrat e tifozëve të Bergamos. Ai është i gjatë, biond, skandinav dhe shënon gola si Haaland, por Hojlund ka ende një rrugë të gjatë për të bërë, në rast se kërkon t’i ngjasojë sulmuesit të Mançester Sitit, edhe pse elozhet nuk mungojnë.

Pasi mungoi në listën e Danimarkës për Botërorin, për shkak të një dëmtimi, bomberi danez ka shfrytëzuar kohën për t’u përgatitur dhe në çfarë mënyre. Në miqësoret para kthimit në kompeticion, ai ka mprehur objektivin e tij. Golat ndaj Spezias, Bolonjës, Salernitanas dhe sërish ndaj Spezias në Kupën e Italisë, e kanë afirmuar lojtarin.

Atalanta kaloi përpara klubeve të shumta të interesuara dhe “rrëmbeu” sulmuesin e ri nga austriakët Sturm Graz, pasi theu rekorde si në Danimarkë ashtu edhe në Austri. Pas një periudhe të shkurtër përshtatjeje në Serinë A, Gasperini i dha atij alternativën përfundimtare në frontin e sulmit ose së bashku me Duvan Zapata ose me Muriel në krah ose thjesht i vetëm në sulm. Danezi nuk zhgënjeu dhe tashmë ngjashmëritë e tij me “skandinavin” Haaland janë më se të dukshme. /abcnews/

LEXO EDHE:

Back to top button