Edhe Svillara e Epërme ka problem me ujin, ekipi i Alsat pengohet gjatë raportimit atje
Edhe Svillara e Epërme ka problem me ujin, ekipi i Alsat pengohet gjatë raportimit atje
Gazetare: Melihate Rustemi
Pa ujë e pa rrugë. Kështu e përshkruajnë fshatin e tyre banorët e Svillarës së Еpërme të Komunës së Sarajit duke shtuar se janë lënë në harresë nga çdo institucion përkatës, shkruan Alsat.
Ndërsa çezmat brenda shtëpisë janë pa ujë, banorët detyrohen që ujë të mbushin në çezmën e fshatit ku uji vjen nga mali, nga një rezervuar i ndërtuar me investim të fshatarëve. Disa të tjerë zgjidhjen e kanë gjetur duke vendosur në oborre bidonë të mëdhenj uji.
“Nëse doni, shkojmë te unë dhe e shohim a ka ujë ose s’ka. Vij prej atje edhe mbush me shishe, këtu vij, natën nuk ka hiç. Atëherë kur vjen, atëherë lajmë rroba. Një orë veç ka ujë, më shumë jo. Veç në mëngjes ka, prej në ora gjashtë e gjysmë ose shtatë e deri në ora tetë, pastaj ndalet”, thotë një banor.
“Katastrofë është, si në verë ashtu në dimër. Vetëm marrin pare edhe ikin prej këtu, vjen tjetri grup i merr paret dhe ik. Edhe rrymën, e paguajmë, deri në 12 të natës rrymë ka pastaj e ndalin, pastaj vijnë njerëz dhe bëjnë hajgare nëpër shtëpitë tona duke vjedh. Edhe shishe me ujë shkojmë i hedhim maqinës për me i la teshat. Për ta pirë blejmë ujë. Është edhe një problem, kanalizim nuk kemi por faturat kanë nisur të na i dërgojnë, asgjë nuk bëjnë faturat na i dërgojnë”, shprehet një banor tjetër.
Banorët e tjerë thanë se ujë s’ka për shkak të keqpërdorimit të tij për vaditje të të mbjellave bujqësore.
“Kjo vazhdimisht është kështu në sezonin e verës sepse njerëzit vadisin, kanë kopshte, kanë bahçe. Vaditja dhe keqpërdorimi i fshatarëve e bën të veten, do të thotë ne vet jemi fajtorë”, u shpreh një banor.
Përveç mungesës së ujit, banorët janë të revoltuar edhe për rrugët e shkatërruar që për çdo ditë u shkaktojnë dëme makinave.
“Rrugën sikur e shihni vet. Mjafton që i prishim gomat e veturës. Nuk shpresoj që këtu bëhet diçka, rrugën tashmë sa vjet nuk e bëjnë, as rrugë e as ujë”, tha një banor.
Komuna e Sarajit thotë se janë në koordinim me Ndërmarrjen Publike “Ujësjellës dhe Kanalizime” të Qytetit të Shkupit që të bëhet edhe pranimi teknik për të menaxhuar me ujësjellësin e Svillarës së Epërme dhe të sigurojë ujë të pijshëm 24 orë për banorët
Sa i takon gjendjes së rrugëve, nga ky insttiucion lokal thonë se kanë tërhequr projektin paraparak për riparimin e rrugëve për shkak të ankesave të banorëve dhe po punojnë për projektin e ri i cili parasheh zgjerimin e rrugës dhe instalimin e infrastrukturës nëntokësore.
Ekipi i Alsat nuk u mirëprit nga të gjithë banorët për të ngritur vetëdijen për hallin e tyre. Kishte edhe të tillë që penguan gazetarët të bëjnë punën e tyre dhe të informojnë për nevojat e banorëve të fshatit Svillare e Epërme./ Alsat.mk