Rama e Osmani kujtojnë Adem Jasharin: Heroi që u bë flamur i lirisë dhe krenarisë kombëtare

Rama e Osmani kujtojnë Adem Jasharin: Heroi që u bë flamur i lirisë dhe krenarisë kombëtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar sot 70-vjetorin e lindjes së komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, duke e cilësuar atë si një simbol të pakrahasueshëm të sakrificës dhe identitetit kombëtar.

Në një postim publik, Rama theksoi se data e lindjes së Jasharit, që përkon me Ditën e Flamurit, nuk është thjesht rastësi historike, por një moment që lidhet drejtpërdrejt me rrugën e lirisë së popullit shqiptar.

“Sot kujtojmë edhe 70-vjetorin e lindjes së Adem Jasharit, heroit që lindi në Ditën e Flamurit dhe u kthye në flamur i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare”, ka shkruar kryeministri Rama, duke shoqëruar mesazhin me simbolet dhe shqiponjën dykrenare.

Adem Jashari, i rënë së bashku me familjen e tij në mars të vitit 1998, mbetet figura qendrore e rezistencës së armatosur në Kosovë dhe një shtyllë referimi e UÇK-së për unitetin dhe aspiratat mbarëkombëtare.

Mesazhi i Ramës vjen në ditën e shënuar të 28 Nëntorit, kur shqiptarët festojnë Pavarësinë e Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit, duke theksuar edhe më tej lidhjen e fortë shpirtërore mes dy shteteve shqiptare dhe figurës së komandantit legjendar të Prekazit.


Osmani kujton komandatin legjendar, Adem Jashari: Ai është i gjallë në çdo zemër shqiptari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin, në 70-vjetorin e lindjes së tij, duke e cilësuar atë si simbol të pavdekshëm të lirisë dhe krenarisë kombëtare.

Osmani përmes një postimi në Facebook ka theksuar se figura e Jasharit mbetet e gjallë në zemrën e çdo shqiptari.

“Ai është i gjallë në çdo zemër shqiptari, frymë e pavdekshme e lirisë dhe krenarisë kombëtare. Në 70 vjetorin e lindjes, si dhe në çdo ditë që frymojmë lirshëm, të përulemi Komandant!”, ka shkruar presidentja.

Në vazhdimësi, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e përkujtojnë ditëlindjen e komandantit legjendar, duke nderuar veprën, sakrificën dhe trashëgiminë e tij që mbetet themeli i shtetit dhe lirisë së Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button