Ekonomia turke në siklet, vazhdon zhvlerësimi i monedhës lira


Lira turke vazhdon të zhvleftësohet kundrejt euros dhe dollarit. Aktualisht, një dollar shkëmbehet me 7,31 lira, ndërkohë që për të blerë një euro duhen 8,67 lira. Rënia e madhe e monedhës turke po shkakton alarme të forta në vend dhe po merr edhe vëmendjen e mediumeve lokale.

Ndërmjet shqetësimeve kryesore të është zvogëlimi i rezervave në valutë, veçanërisht asaj në dollarë, e konsumuar muajt e fundit pikërisht për të frenuar kolapsin e monedhës.

Një takim urgjent u zhvillua para disa ditëve në  Stamboll midis guvernatorit të Bankës Qendrore, Murat Uysal dhe drejtuesve të institucioneve të kreditit për të studiuar strategjitë e stabilizimit të lirës.

Banka Qendrore tha do të ishte e gatshme për ndërhyrje drastike në rast të rënies së mëtejshme të lirës gjatë ditëve të ardhshme. Por Presidenti turk Erdogan është kundër rritjes së normës të interesit.

Ky është një lajm i keq për vendin me më shumë se 80 milion banorë, pasi rënia e lirës jo vetëm që dobëson fuqinë blerëse të konsumatorëve, por gjithashtu kërcënon të përshkallëzohet në një krizë bankare.

Turqia ka shumë borxhe jashtë vendit. Sipas përllogaritjeve të agjencisë së vlerësimit S&P më shumë se një e treta e të gjitha kredive janë marrë në monedha të huaja. Për këtë arsye dobësimi i lirës e bën më të shtrenjtë pagimin e tyre. Nëse si rezultat i zhvlerësimit të monedhës vendase do të ketë mosshlyerje të mëdha kredish, bankat do të kenë një problem, sepse nuk do të mund të rimbledhin paratë e huazuara dhe prandaj mund t’u shkaktohen vështirësi për operacionet e tyre bankare.

Banka Qendrore po lufton kundër zhvlerësimit të lirës, ​​por ajo i ka duart e lidhura. Rezervat e tyre valutore ranë kohët e fundit nga 81 miliardë dollarë në vetëm 51 miliardë dollarë. Që nga viti i kaluar Banka Qendrore dhe bankat shtetërore të nivelit të dytë kanë shpenzuar më shumë se 110 miliardë dollarë për të mbështetur monedhën vendase në tregun e këmbimit valutor.

Nëse rezervat përfundojnë pa stabilizimin e monedhës kombëtare, kjo mund të çojë në zhvlerësim të mëtejshëm, inflacionin dhe një zgjerim të deficitit.

“Në Turqi ka shumë përbërës për një krizë të plotë,” paralajmëron ekonomisti Nikolay Markov, drejtues sektori pranë kompanisë Pictet Asset Management.

Kurse analistja e Commerzbank, Antje Praefcke i sheh arsyet kryesore të presionit ndaj rënies së lirës në dështimin e Bankës Qendrore për të luftuar inflacionin dhe tek norma reale e interesit, e cila është 8,25 përqind ndërkohë që përqindja e inflacionit është 12 përqind.

Situata po përkeqësohet edhe nga pandemia e koronës. Industria e rëndësishme e turizmit vuan prej mungesës së vizitorëve të huaj, të cilët normalisht sjellin shumë para dhe valutë të fortë në vend. Në gjysmën e parë të vitit 2020, numri i vizitorëve të huaj ra me 75 përqind në 4.51 milion vetë.

Si rrugëdalje për ta nxjerrë monedhën nga gjendja e mjeruar shihet rritja e konsiderueshme e normave të interesit për të bërë lirën përsëri më tërheqëse. Por është e diskutueshme nëse kjo do t’i pëlqejë Presidentit Erdogan. Ky i fundit e ka quajtur vazhdimisht veten si “armik të normave të interesit” dhe ka ngulur këmbë për ulje të konsiderueshme në mënyrë që të forcojë ekonominë me para më të lira.

LEXO EDHE:

Back to top button