Ekspedita zbarkon 300 km larg Dublinit, reagon menaxhmenti i klubit

Skuadra e FC Shkupit gjatë ditës së djeshme zbarkoi në Irlandë dhe zhvilloi stërvitjen e parë, në prag të përballjes së sotshme, kundër Shamrok Roversit, në një sfidë të vlevshme për turin e tretë të Ligës Europa. Mirëpo gjërat nuk kanë shkuar edhe aq mirë për ekspeditën e FC Shkupit, e cila ka reaguar nëpër mediat sociale, duke potencuar se nuk është kënaqur me trajtimin e qeverisë së Irlandës, e cila nuk ka lejuar aterimin e aeroplanit në Dublin, por vetëm 300 km larg saj. Menaxhmenti i klubit nga Çairi, ka kërkuar që të reagojë Ministria e Jashtme e Maqedonisë, që së paku kthimi për në Maqedoni, të jetë nga Dublini, e jo 300 km larg kryeqendrës irlandeze.

 

Reagim i plotë i FC Shkupit

Një turp i madh ndaj ekipit tonë në Irlandë!

Skuadra jonë po pengohet në një mënyrë kaq të pahijshme, me mashtrime. Pavarësisht buxhetit tonë, ne po përpiqeshim t’i mbanim lojtarët tanë rehat duke rezervuar një aeroplan çarter dhe duke paguar mijëra euro për t’u siguruar që lojtarët tanë mund të arrinin me shëndet të mirë, por qeveria irlandeze nuk e dëgjoi UEFA-n, pavarësisht ndërhyrjes së tyre, na zbarkoi 300 km larg Dublinit dhe i dha ekipit tonë një trajtim të pamerituar në këtë rrugëtim.. Po kështu, pas ndeshjes do ta kthejë 300 km mbrapa dhe do të fluturojnë prej andej. Fatkeqësisht, kjo nuk i është bërë asnjë ekipi tjetër përveç ekipit të Maqedonisë së Veriut, vetmia jonë është shfaqur sërish teksa përparonim në rrugën evropiane. Lusim Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut që të paktën të organizojmë kthimin sonte në Dublin.

Përveç kësaj, duam t’u themi irlandezëve se duhet ta dinë mirë se ne kemi një ekip me karakter të fortë. Shpërblimi i të qenit skuadër është t’i përgjigjesh si ekip të keqes që të është bërë në të njëjtën mënyrë, andaj sot skuadra jonë do t’ju tregojë se çfarë karakteri është, si luanët në fushë, do të tregojnë se nuk ka ekip që nuk do të përkulet para mashtrimeve të tilla, mashtrime të tilla të lira nuk duhet të kenë vend në futboll, dhe nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar, ata vetëm FC Shkupin e trajtuan kështu, por a mund të na trajtoni njësoj nëse do të paraqitej ndonjë ekip italian, spanjoll, gjerman apo anglez? Shpresojmë që qeveria jonë t’i përgjigjet kësaj situate, me respektin tim për publikun.

F.C SHKUPI 1927

Menaxhmenti i klubit!

LEXO EDHE:

Back to top button