Ekspertët: Digjitalizimi është i domosdoshëm jo vetëm për antarësim në BE, por edhe për zhvilimin e ekonomisë

Ekspertët: Digjitalizimi është i domosdoshëm jo vetëm për antarësim në BE, por edhe për zhvilimin e ekonomisë

Gazetar: Suad Bajrami

Paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së për themelimin e Ministrisë për Digjitalizim, konkretisht ndarjen nga Administrata, ekspertët e shohin si nevojë që, shteti duhet të ketë qasje serioze ndaj digjitalizimit real të shërbimeve elektronike, të cilat qytetarët duhet t’i marrin në jetën e përditshme.

Sipas, Marko Troshanovskit nga Instituti për Demokraci, për t’u realizuar kjo duhet të unifikohen bazat e të dhënave të institucioneve shtetërore që qytetarët të mos enden prej sporteli në sportel për një dokument të thjeshtë.

“Nëse ju e plotësoni aplikimin në mënyrë elektronike, duhet t’ju mundësohet që edhe në mënyrë elektronike ta dorëzoni. Domethënë, prej në fillim deri në fund të mos keni kontakt me zyrtarin administrativ. Ky është një moment shumë i rëndësishëm. Kështu, bazat e të gjitha institucioneve të jenë të unifikuara dhe këtu paralajmërimi për themelimin e Agjencisë për Digjitalizim, ndarja e administratës nga shoqëria informatike, ka kuptim dhe është shumë i rëndësishëm”, tha Marko Troshanovski, Instituti për Demokraci (IDSCS).

Profesori universitar Gjorgji Maxharov, për Alsat shprehet se digjitalizimi është i domosdoshëm, jo vetëm për anëtarësimin e vendit në BE, por edhe për zhvillimin e ekonomisë, por edhe për përfitimet të cilat qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë do t’i përjetojnë. Megjithatë, për t’u realizuar kjo, duhet që në Kuvend të votohet ligjet e nevojshme.

“Pjesa më e vështirë është që e tërë kjo të finalizohet në kuadër të Kuvendit, në kuadër të miratimit të akteve ligjore, të cilat do të japin rëndësi të njëjtë të dokumenteve digjitale në lidhje me dokumentet në letër. Kështu që, duhet të punojmë në atë bashkë dhe duhet të kihet kujdes ndaj gjendjes së përgjithshme se ku gjendet shoqëria, cilat procese duhet dhe duam t’i digjitalizojmë dhe në lidhje me prioritetet që i kemi vendosur të fillojmë ta bëjmë atë. Siç thash, ai proces ka filluar, megjithatë nuk është i përfunduar dhe duhet që edhe shumë të punohet që në fund qytetarët ta shohin përfitimin direkt të shërbimeve të tilla digjitale”, u shpreh Gjorgji Maxharov, profesor universitar.

Rikujtojmë që Komisioni Evropian dy vite radhazi i rekomandoi Maqedonisë së Veriut ta harmonizojë legjislacionin me atë të BE-së në lidhje me procesin e digjitalizimit. Përbërja e kaluar kuvendore, nuk arriti që ta votojë ligjin për themelimin e Agjencisë Digjitale, si institucion udhëheqës në procesin e digjitalizimit të shërbimeve, trajnimit të qytetarëve, por edhe mbrojtjes së institucioneve nga sulmet kibernetike, të cilat gjatë periudhës së kaluar ishin të shpeshtuara. Sipas ekspertëve, Maqedonia e Veriut është mbi një dekadë mbrapa BE-së në procesin e digjitalizimit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button