Keqpërdorimi i balancuesit, ekspertët: Ka zgjidhje për deklarimet e rreme të etnisë

Zgjidhje ligjore për problemin me deklarimet e rreme të përkatësisë etnike gjatë aplikimeve për punësim, sipas ekspertëve, ka. Dilema u hap pas shumë zbulimeve të njëpasnjëshme ku qytetarë maqedonas deklarohen shqiptarë ose me përkatësi tjetër etnike, vetëm për t’u punësuar “në kurriz” të balancuesit për përfaqësim të drejtë etnik nëpër institucione. Juristi Agni Dika, në emisionin “Rruga drejt”, vlerëson se kriter gjatë punësimit duhet të jetë njohja e gjuhës amtare, me qëllim që të shmangen manipulimet.

Njohja e gjuhës është një veçori shumë tipike. Meqë ka njerëz që njohin gjuhët e njëri-tjetrit, kjo nuk diskutohet. Por kjo ndoshta nuk do ta zhdukte (fenomenin) por do ta minimizonte. Personat që i bëjnë veprimet e tilla, në përgjithësi janë persona që nuk gjejnë hapësirë për t’u punësuar përmes mekanizmave të tjera ligjore ose aftësive të tyre – deklaroi Artan Dika, jurist.

Profesori Bashkim Selmani vlerëson se identifikimi i përkatësisë etnike mund të bëhet edhe tani përmes të dhënave në letërnjoftime.

Nëse i keni letërnjoftimet me vete do të shihni se të gjithë shqiptarëve numri i letërnjoftimit u fillon me shkronjën G. Ne e kemi kështu dhe jemi komplet të identifikuar dhe në momentin që dorëzohet letërnjoftimi, shumë lehtë dhe shpejtë bëhet identifikimi i përkatësisë nacionale – u shpreh Bashkim Selmani, profesor.

Librat amë që posedon Ministria e Punëve të Brendshme dhe ku pas lindjes prindërit shkruajnë përkatësinë etnike të fëmijëve, nuk mund të shfrytëzohen si bazë sepse secili individ më vonë ka të drejtë të vetëdeklarojë përkatësinë e tij etnike.

Duhet të gjendet një mekanizëm real ligjor i cili këtë çështje do ta mbyllë një herë e përgjithmonë. Kjo është ose tani me klauzolë ligjore në regjistrimin e popullsisë sepse si parametër në regjistrimin e popullsisë çdo 10 vjet duhet, të dhënat aty janë statistikore – u shpreh Rami Qerimi, sekretar shtetëror në Ministrinë për Sistem Politik.

Balancuesi gjatë shpalljes së vendeve të lira për punësim ka filluar të zbatohet që në vitin 2016 kurse keqpërdorimet e kësaj natyre kanë filluar jo më herët se dy vite më parë. Në shumë institucione, përqindja e përfaqësimit të shqiptarëve është rritur rrejshëm.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button