Ekspertët: Ulja e gjobave mund të nxis rritjen e dhunës në fushat e sportit

Ministria e Punëve të Brendshme synon të ulë gjobat për dhunë dhe sjellje jo adekuate gjatë aktiviteteve sportive. Propozimi parasheh që për organizatorët të cilat nuk do kenë marrë masat e duhura kundër dhunës, gjobat të ulen nga 5000 euro në 500 euro ndërsa për personat fizik, nga 500 euro deri në 150 euro. Federatat sportive të cilat nuk do tu përmbahen dispozitave ligjore kundër dhunës nga 2000 ose 3000 euro do të gjobiten deri në 500 euro.

Nga opozita thonë se propozim ligji lë hapësirë për ndëshkime selektive.

Ka diskrepancë të madhe nga shuma minimale, deri tek shuma maksimale. Kjo është shumë diskutabile, pasi ka shumë prej 500 euro deri në 7000 euro nëse nuk gaboj. Kështu që mendoj se propozuesi duhet të mbajë llogari që të mos bëhen ndëshkime selektive – tha Bllagica Lesovska, VMRO-DPMNE.

Ndryshe mendojnë deputetët e pushtetit. Zhaklina LLazarevska nga LSDM thotë se ndryshimet e Ligjit për pengimin e dhunës në aktivitetet sportive, bëhet me qëllim të harmonizimit të tij me Ligjin për kundërvajtje. Ajo thekson se më e rëndësishme është vetëdijesimi i tifozëve se niveli i gjobave.

Mendoj se gjobat më të vogla ose më të mëdha nuk duhet të jenë bazë e asaj se si ne duhet të sillemi, ne duhet ta ndryshojmë vetëdijesimin edhe mes grupeve të tifozëve edhe mes nesh si njerëz. Nuk duhet gjoba të na pengojë të jemi kundër dhunës dhe sjelljes jo përkatëse – deklaroi Zhaklina Llazarevska, LSDM.

Ulja e gjobave për dhunë dhe sjellje joadekuate në aktivitetet sportive, sipas ekspertëve nuk është veprim i qëlluar. Vasko Dojçinovski thotë se kjo mund të rrisë aktivitetet e dhunshme në terrenet sportive.

Jemi të vetëdijshëm se në të kaluarën, jo shumë shpesh, por kemi pasur shkelje serioze në stadiumet e futbollit, ndonjëherë as ligjet aktuale nuk i kanë mbuluar mjaftueshëm sipas seriozitetit, e lëre më ti ulim gjobat. Gjithsesi rreziku për rritjen e incidenteve në stadiume me ndryshim eventual të ligjit do të jetë më i madh – tha Vasko Dojçinovski, ekspert sportiv.

Propozim Ligji për pengimin e dhunës dhe sjelljet jo adekuate në ndeshjet sportive është në lexim të parë në Komisionin për Arsim dhe Shkencë në Kuvend.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button