Në Maqedonia assesi të arrijnë vaksinat e para, përfshi edhe ato të premtuara nga Serbia

Pavarësisht se u tha se vaksina anti-COVID do të mbërrinte në vendin tonë gjatë kësaj jave, duket se kushtet për këtë ende nuk janë krijuar. Tani nga Ministria e Shëndetësisë për Alsat thonë se vaksina do të mbërrijë nga Serbia në vendin tonë, atëherë kur do të kryhen të gjitha procedurat ligjore, duke mos dhënë asnjë datë konkrete. Sipas Ministrisë, i gjithë procesi për distribuimin e vaksinave drejtohet nga Phizer dhe për çregjistrimin e kësaj vaksine nga Serbia dhe regjistrimin në vendin tonë, nevojitet kohë. Lidhur me këtë, ka reaguar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, i cili akuzon pushtetin se nuk ka plan se si të veprojë për regjistrimin e vaksinës në mënyrë që të mos ketë zvarritje të këtij procesi.

Një muaj më parë, kur Bullgaria njoftoi se do të na jepte vaksina kundër virusit korona, unë e mirëprita atë dhe pyeta nëse qeveria ka plan? Sot morëm përgjigjen se nuk ka asnjë. Gjegjësisht, Kryeministrja e Serbisë, Brnabiç thotë se përkundër faktit se ata vendosën të ndihmojnë me 8 mijë vaksina, procesi është bllokuar sepse vaksina nuk është regjistruar dhe nuk ka asnjë plan regjistrimi. Me fjalë të tjera, ndërsa bota shkon përpara, qeveria jonë po humb kohë, ndërsa njerëzit po vdesin – tha Hristjan Mickoski- Kryetar I VMRO-DPMNE-së.

Sasia tjetër e vaksinave që duhet të merren drejtpërdrejtë nga kompania Phifzer, nuk mund të bëhet pa u miratuar ndryshimet në Ligjin për Barna. Pushteti akuzoi opozitën se nuk mbështet këtë ligj, pasi siç thonë, nuk marrin pjesë në punën e Kuvendit për të formuar numrat e nevojshëm për miratimin e Ligjit.
Kjo u hodh poshtë kategorikisht nga kordinatori i grupit parlamentar ASH-AAA, Skender Rexhepi.

Shumica dëshiroi që në seancën 30 të kontrabandojë 52 propozim-ligje, për ta kaluar ligjin për ilaçe. Urdhëroni kryetar i Kuvendit që ta kuptoni se opozita dhe koalicioni jonë opozitarë është i gatshëm që t’u shërbejë qytetarëve. Thirrëni një seancë për Ligjin për Barna dhe ne do marrim pjesë, do e votojmë pa fije problemi dhe jo të derdhim lot krokodili se sa jemi të kujdesshëm për qytetarët – u shpreh Skender Rexhepi- Koordinator i grupit parlamentar ASH-AAA.

Nga Ministria e Shëndetësisë në fillim të kësaj jave kishin informuar se procesi i furnizimit direkt nga Pfizer është në fazë finale dhe 5850 dozat e tyre do të arrijnë në muajin shkurt. Nga 17,500 doza të tjera do të vijnë për muajin mars dhe prill. Duke ditur që vaksinat e llojit Pfizer injektohen në dy doza, këto 8 mijë copë që duket se janë më afër nesh do të rezervohen për 4 mijë persona. Të parët do t’i marrin doktorët, infermierët dhe personeli mjekësor që është në reparte infektive dhe Kovid qendrat e vendit.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button