Ekspertët: Vodno të mbrohet me ligj të posaçëm, nuk mjafton shpallja si zonë e mbrojtur

Profesorët e Fakultetit të Pylltarisë nuk pajtohen që Vodno të shpallet zonë e mbrojtur. Kërkojnë shkallë më të lartë të mbrojtjes duke miratuar ligj të veçantë për Vodnon, përgatitjen e një plani hapësinor për malin, plan për menaxhim, me të cilin mali do ta mbrojë Shkupin.

Vodno duhet të mbrohet e jo të jetë zonë e mbrojtur. Për shkak se, funksioni kryesor i Vodnos është siguria, mbrojtja nga reshjet dhe vërshimet – deklaroi Makedonka Stojanovska- profesoreshë universitare.

Të kemi tampon sigurie afër kufirit me Planin e Përgjithshëm Urbanistik që të mbrohet në mënyrë rigoroze, çdo veprimtari e paligjshme atje të dënohet ekskluzivisht vetëm me burg, që të parandalohet kapadaillëku. E dimë që Vodno mbrohet nga ligji i miratuar në vitin 2004. Pastaj, është zonë e sigurisë, zonë për ta mbrojtur qytetin nga vërshimet. Është një zonë shumë e rëndësishme – u shpreh Ivan Blinkov- profesor universitar.

Organizatat joqeveritare gjithashtu kërkojnë që Vodno të mos shpallet zonë e mbrojtur, duke argumentuar se mali nuk do ta ketë mbrojtjen e nevojshme.

Në mënyrë që të shmangen ngjarjet si përmbytja e vitit 1952, të mos ndodhë rastësisht përsëri sikur që ndodhi në Stajkovcë në vitin 2016, tani në Vodno, në kohë të ndryshimit të klimës në të cilën jetojmë sot, ku shirat e rrëmbyeshëm do të jenë shumë më të shpeshta dhe intensive, ne nuk duhet të lejojmë vendim të tillë tani ku mbrojtja e vetme e Vodno do të jetë biodiversiteti – tha Tatjana Stojanovska, “E dua Vodnon”.

Sipas planit për të mbrojtur biodiversitetin, një pjesë e Vodnos duhet të menaxhohet nga qyteti i Shkupit.

Sa më shpejt të jetë e mundur, pas shpalljes, do të vendoset regjim për mbrojtjen e zonave të përcaktuara. Situata do të monitorohet, do të zhvillohet një plan menaxhimi kurse ne do të vazhdojmë të rrisim ndërgjegjësimin e publikut – deklaroi Nikolla Naumoski- shef kabineti në Qytetin e Shkupit.

Të gjitha këto qëndrime të ekspertëve janë shprehur në debatin publik të organizuar nga Ministria e Mjedisit mbi propozimin për të shpallur Vodnon zonë të mbrojtur.

Igor Stefanovski

LEXO EDHE:

Back to top button