Ekspozohuni rregullisht në diell dhe ushqehuni shëndetshëm, për kocka të forta
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Osteoporoza po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë, veçanërisht tek të moshuarit. Ajo është një sëmundje që prek kockat, duke i bërë ato më të dobëta dhe më të brishta, çka rrit rrezikun për thyerje edhe nga goditje shumë të lehta. Sipas mjekes Marta Foteva, mënyra më e mirë për parandalim është ekspozimi i rregullt në rrezet e diellit, ushqyerja e shëndetshme dhe kujdesi për kockat që nga mosha e hershme.
“Në rritje është në gjithë botën, pasi jetëgjatësia po rritet, ndërsa ashtu siç plaken njerëzit, kockat dobësohen më shumë, kështu që aq më shumë që kemi qytetarë të moshuar kemi një “boom” në epidemi me osteoporozën, pra ashtu siç rritet numri i të moshuarve ashtu rritet numri i osteoporozës”, deklaroi Marta Foteva, doktoreshë nga Klinika Universitare për Sëmundjet, Ortopedike.
Drejtori i Klinikës për Traumatologji thotë se në nivel shtetëror nuk ka numër të mjaftueshëm të aparateve për incizimin e kockave.
“Do thosha se rreth 30 aparate janë në nivel shtetëror, 5 vetëm në Shkup, pra është shumë i vogël numri i aparateve që janë për parandalimin e sëmundjes së kockave, për qytetarët sidomos ata pas moshës 50 vjeçare”, tha Igor Merzhanovski, drejtor në TOARILUC MANE.
Lidhur me pajisjet e vjetra, ministri i shëndetësisë Azir Aliu tha se po bëhen analiza të thelluara për të aplikuar modelin e marrjes me qira të pajisjeve, një zgjidhje ad hoc në nivel shtetëror. Sipas tij, kjo do të lejojë instalimin e 20 deri në 30 pajisje njëkohësisht në institucionet shëndetësore, ndërsa mirëmbajtja dhe monitorimi teknik i tyre do të jetë shumë më i lehtë./Alsat.mk.








