Emërimi i drejtorëve, këshilltarët e BDI-së distancohen nga marrëveshja mes Arsovskës me Çairin dhe Sarajin

Emërimi i drejtorëve, këshilltarët e BDI-së distancohen nga marrëveshja mes Arsovskës me Çairin dhe Sarajin

Gazetar: Mefail Ismaili

BDI-ja distancohet nga bashkëpunimi i komunave të Çairit dhe Sarajit me kryetaren e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e cila dje emëroi dy drejtor të ndërmarrjeve publike të caktuar nga drejtuesit e këtyre dy komunave, shkruan Alsat.

Kryetari i grupit të këshilltarëve të BDI-së, Besnik Ajeti tha se kjo parti do të jetë opozitë në qytetin e Shkupit.

“BDI vazhdon të jetë opozitë konstruktive në Qytetin e Shkupit, për çdo ndryshim eventual do të keni informacion prej organeve kompetente të partisë. Drejtorët nuk janë kompetencë e jona e këshillit, por janë kompetencë të drejtpërdrejtë e këshillit…. Do ja parashtroni pyetjen kryetares”, tha Besnik Ajeti, këshilltar i BDI-së.

Se emërimi i dy drejtorëve të ndërmarrjeve publike në qytetin e Shkupit është bërë në konsultim mes kryetarëve të komunave dhe Arsovskës, e konfirmoi për Alsat edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu.

I pyetur nëse për një bashkëpunim me Arsovskën është konsultuar edhe partia e cila edhe e ka kandiduar për kreun e komunës dhe për faktin se partitë vendosin për koalicionet të tilla, Ganiu tha se bëhet fjalë për bashkëpunim në suaza komunale dhe jo partiake. Ganiu shtoi se Arsovska ka kërkuar që këto dy komuna të përfaqësohen në Qytetin e Shkupit.

“Një gjë duhet ta kemi të qartë. Duhet të bashkëpunojmë në mënyrë institucionale, pasi nëse i bëjmë bllokim njëri tjetrit nuk funksionon Qyteti i Shkupit por nuk funksionon as komuna jonë. Ne nuk kemi ndonjë marrëveshje të kushtëzuar, ky është bashkëpunim komunal mes komunave tona dhe Qytetit të Shkupit”, u shpreh për Alsat, Visar Ganiu, kryetar i Çairit.

Danella Arsovskë për drejtor të ndërmarrjes “Parqet dhe Gjelbërimet “ ka emëruar Zuhejr Rexhepi nga Saraji dhe Said Saidi nga komuna e Çairit. Në një përgjigje për Alsat nga kabineti i Arsovkës thonë se nuk bëhet fjalë për koalicion por për emërime në bazë të kompetencave të kreut të qytetit të Shkupit.

Por, nga grupi i BDI-së i njohur si “grupi i zjarrit” që kërkon ndryshime në parti, dje për Alsat thanë se emërimet në qytetin e Shkupit janë bërë në kuadër të bashkëpunimit të kryetares së Shkupit me komunat e Çairit dhe Sarajit dhe se të pakënaqurit nuk qëndrojnë pas emërimit të tyre.

Alsat kërkoi përgjigje edhe nga kryesia qendrore e BDI-së se cili do të jetë qëndrimi i saj ndaj kryetarëve të komunave që lidhën bashkëpunimin me Danella Arsovskën të cilën në vazhdimësi e kanë akuzuar për dështim në punës e saj dhe si bashkëpunëtore e VMRO-së dhe partitë E Majta të Dimitar Apasievit, por përgjigje nuk morëm. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button