Energjia elektrike nga TEC Negotinë mund të jetë më e shtrenjtë se energjia elektrike e importuar

Ile Petrevski

Kthimi në “jetë” i termocentralit të Negotinës, i cili funksionon me naftë, është një veprim i vonuar, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë. Më fitimprurëse do të jetë blerja e energjisë elektrike nga bursat, sesa aktivizimi i këtij termocentrali, sepse do të duhen kosto servisimi dhe mirëmbajtje. Gjorgji Manaskov nga Oda Ekonomike thotë se me të gjitha tarifat, një megavat orë e prodhuar në TEC Negotinë do të kushtojë së paku 200 euro.

“Në këtë rast mund të parandalojmë vetëm mungesën e energjisë elektrike dhe masat më pak kufizuese, sepse do të kemi energji elektrike në vendin tonë. Por, kjo nuk do të thotë se do të kemi energji elektrike të lirë”, tha Gjorgji Manaskov -Kryetari i Odës Ekonomike Energjetike.

Sipas Manaskovit, çmimi për qytetarët do të rritet, ndaj Qeveria duhet menjëherë të veprojë dhe të heqë taksën prej 18% për kompanitë dhe 5% për qytetarët.
Nga TEC Negotinë shkurt për Alsat thanë se kanë mazut për punë vetëm për pak ditë. Në dy javët e ardhshme pas blerjes së mazutit shtesë, ata do ta vënë në funksion termocentralin. Qeveria theksoi se termocentrali do të funksionojë nga dhjetori deri në prill të vitit të ardhshëm.

“EMV do ta shfrytëzojë energjinë elektrike të prodhuar në TEC Negotinë në një pjesë për nevojat e furnizimit të amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël në rast të mungesës, një pjesë do ta ofrojë për nevojat e MEPSO-s, ndërsa teprica do të ofrohet në shitje në tregun e lirë, me çmime më të ulëta se çmimet e bursës”, njoftojnë nga LSDM-ja.
Opozita, nga ana tjetër, akuzon se keqmenaxhimi i sektorit energjetik në Maqedoni do ta ndjejnë më së shumti qytetarët.

“I keni parë faturat e paguara nga MEPSO, fatura e paguar nga EMV, ajo faturë do të vazhdojmë ta paguajmë edhe në të ardhmen. “Një herë ia paguajmë shoqatës së kartelit, që bën sikur gërmon, ndërsa në fakt asgjë nuk funksionon, dhe herën e dytë e paguajmë përmes faturave të energjisë elektrike”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Informacionet fillestare deri te të cilat erdhi Alsati, janë se faturat e energjisë elektrike për amvisëritë nga Viti Ri do të jenë më të larta për nëntë për qind. Por, vendimi përfundimtar do të bëhet i ditur pas datës 20 dhjetor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button