Escobar pas takimit me Kurtin: Shpreha mbështetjen për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës

Escobar pas takimit me Kurtin: Shpreha mbështetjen për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i vendosur se marrëveshja finale me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër të saj.

Kreu qeveritar, pas takimit me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të mërkurën, tha se Kosova përmes propozimeve konkrete gjithmonë është treguar palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut.

“Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që japim, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Jemi të gatshëm dhe përkushtuar për arritjen e një marrëveshje ligjërisht obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. Mirëpresim gjithmonë interesimin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces”, tha ai.

Në konferencën e përbashkët për medie, kryeministri Kurti, tha se Kosova është aleat në vlera dhe partner në qëllime me ShBA-në.

“Me ShBA-të jemi aleat në vlera dhe partner në qëllime. Rreshtimi i menjëhershëm i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuara në vendosjen e sanksioneve ndaj federatës ruse dhe mbështetjen e pa rezervë për Ukrainën dhe popullin e saj dëshmojnë aleancën dhe partneritetin tonë. Në të njëjtën kohë edhe dallimin me gjithë atë të tjerët që nuk u rreshtuan siç duhet në anën e të vërtetës dhe të drejtës”, shtoi Kurti.

Ndërkaq, emisari Gabriel Escobar tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë një partneritet të palëkundshëm.

Ai shprehu mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës.

“Është një partneritet i palëkundshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diskutuam edhe për çështjet e marrëdhënieve me Serbinë dhe implikimet rajonale nga dialogu. Po ashtu edhe rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë tuaj. Është e rëndësishme të rreshtoheni në vlerat evropiane në këtë kohë krize në kontinentin evropian. Dua të theksoj sërish se ShBA e mbështetë Kosovën në gjitha aspiratat e saja euroatlantike dhe do të shohim mundësitë për të pasur partneritet me Republikën e Kosovës për të mundësuar një gjë të tillë”, theksoi Escobar.

I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po qëndron në Kosovë në vizitë zyrtare. Ai takoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, derisa pritet të takohet edhe me liderët opozitarë në vend.

LEXO EDHE:

Back to top button