​Escobar: Vendimi për Manastirin i vështirë, por i domosdoshëm

​Escobar: Vendimi për Manastirin i vështirë, por i domosdoshëm

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës që Manastirit të Deçanit t’i jepen tokat, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Escobar, pas takimit rreth dy orësh me presidenten, Vjosa Osmani, kërkoi nga Kosova dhe Serbia zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, derisa nënvizoi se nuk po i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të vështira në kuadër të kësaj ujdie, por edhe Serbisë. Ai para mediave theksoi edhe nevojën e forcimit të marrëdhënieve bilaterale mes ShBA-së dhe Kosovës, raporton KosovaPress.

Escobar tha se vendimi për tokat e Manastirit të Deçanit është i rëndësishëm dhe një hap i domosdoshëm, ndonëse i vështirë për institucionet e Kosovës.

“Është shumë i rëndësishëm vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit. Ishte hap i domosdoshëm, i vështirë por i domosdoshëm dhe i falënderoj institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha ai.

Escobar tha se gjatë qëndrimit në Kosovë do të realizojë shumë vizita për të diskutuar për sfidat që po përballet Kosova, përfshirë edhe rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.

Mes tjerash, ai përmendi edhe nevojën e ecjes përpara në dialog, me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, ku bën pjesë edhe themelimi i Asociacionit.

“Ka shumë punë për të diskutuar për disa prej sfidave që po përballemi tani, duke përfshirë edhe vendimin e BQK-së për të gjetur mënyra sesi të ecim përpara në dialog, i cili përfshinë Asociacionin, por jo vetëm atë. Siç e përmendi edhe presidentja që të dyja palët duhet të vazhdojnë mes zbatimin e plotë të marrëveshjes. Ne ftojmë edhe Serbinë që zbatojë marrëveshjen, prandaj kjo nuk është një përpjekje unilaterale që vetëm Kosova të marrë vendime të vështira që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, theksoi Escobar.

Në anën tjetër, ai kërkoi nga Serbia që të gjithë personat përgjegjës për sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të dalin para drejtësisë.

“Jemi tepër të shqetësuar për ngjarjen e 24 shtatorit. Presim dhe ftojmë Serbinë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari të plotë për atë sulm”, deklaroi Escobar.

Duke folur për raportet ShBA-Kosovë, emisari amerikan theksoi se trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe Pavarësinë e Kosovës.

“Ju jeni karakteri jonë kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes ShBA-së dhe Kosovës. Dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës. Do të vazhdojmë të forcojmë këtë marrëdhënie në të gjitha interesat”, tha ai.

Escobar gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohet sot me përfaqësues opozitarë dhe të shoqërisë civile, ndërkaq nesër do të takojë kryeministrin Albin Kurti.

LEXO EDHE:

Back to top button