Gazetar: Zekirija Haxhiu
Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) ka konstatuar parregullsi dhe mos harmonizime të raporteve financiare për komunën e Sarajit për vitin 2024 kur me komunën ka udhëhequr ish kryetari, Blerim Bexheti. Siç thuhet në raport, komuna nuk ka përgatitur dhe nuk ka dorëzuar deri te këshilli propozim plan të programeve për zhvillim ndërsa në buxhetin e miratuar nuk janë përfshirë dhe programet për pastërti publike, ndriçim publik, mirëmbajtje të gjelbërimit, subvencionimi i ndërmarrjeve publike e të tjera. Nuk është përgatitur as raport vjetor për përdorimin e parave nga rezervat e komunës, ndërsa raportet financiare janë pa deklarata për saktësinë e të dhënave.
“Për shkak kërkesave të pa dorëzuara për pagesë nga llogaritja në arkë, janë evidentuar më pak të ardhura dhe dalje për 16,9 milion denarë, respektivisht 276 mijë euro. Nuk janë evidentuar kërkesat nga tatimi komunal për vendosjen e vitrinave për mallra para hapësirave afariste, tatime për legalizim të objekteve pa leje si dhe rregullimin e tokave ndërtimore. Për tatim të pronave dhe tatimeve komunale për kompanitë, janë shfaqur më pak kërkesa prej 24,7 milion denarë apo 402 mijë euro”, thonë nga ESHR-ja.
Komuna ka paguar 487 mijë euro si subvencione për ndërmarrjet publike “Saraj” dhe “Akcios”, pa asnjë program për subvencionim, pa fatura dhe pa dokumentacion në planin operativ vjetor. Ka paguar 93 mijë euro për punësimin me kontratë në vepër për punonjës administrativ për më tepër se dy vite. Nuk janë respektuar rregullat e dhënies me qira të pishinës në Saraj.
“Objekti rekreativo-sportiv dhe pishinë në Saraj është dhënë me qira në periudhë prej 25 vitesh, pa asnjë procedurë ligjore për dhënie me qira në periudhë afatgjate, ku çdo marrëveshje për shfrytëzim për patundshmëri që tejkalon 10 vite llogaritet si procedurë për shpronësim të përhershëm ose qira afatgjatë dhe për të qenë ligjërisht e vlefshme, patjetër duhet të ndjekë procedurë të veçantë, pëlqime dhe miratime shtesë”, thuhet në raportin e ESHR-së.
Revizioni ka konstatuar shkelje edhe në prokurimet publike për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrugëve lokale veçanërisht në fshatrat Lubin e Bukoviq. 25 milion denarë janë dhënë për ndërtim të rrugëve lokale ndërsa aktivitetet reale të kryera kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe mbulimin me pllaka bekatonë të rrugicave. Nga Revizioni i kanë dhënë komunës rekomandime për ndërmarrjen e masave nga institucionet përgjegjësie dhe personat përgjegjës për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara. /Alsat.mk








