Eskobar: Të shtensionohet situata në veri, serbët të kthehen në institucione

Eskobar: Të shtensionohet situata në veri, serbët të kthehen në institucione

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se nuk do që të presë për zgjedhje të reja atje deri në muajin korrik. Sipas tij kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale. Escobar tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet eventuale.

“Duhet ta deeaskalojmë situatën menjëherë. Kjo do të thotë se ne shpresojmë se kryetarët nuk do të tentojnë t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth këtyre ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen. Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte. Sfida më e madhe për Serbinë është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet e Kosovës”, tha Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i SHBA-së.

I pyetur nëse ka ndonjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me propozimin evropian për shtensionimin e situatës në veri, Escobar tha se diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vazhdojnë edhe pas largimit nga Beogradi. Ai theksoi se partneriteti i SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën “është i hapur”. Por, nëse Qeveria e Kosovës, shtoi ai, merr hapa të njëanshëm dhe largohet nga partneriteti me komunitetin transatlantik, “kjo vetvetiu është një pasojë”. Escobar tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “në rast se do t’ia kthenin shpinën atij, do t’ia kthenin shpinën Evropës”. Escobar përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button