Festat erdhën dhe po largohen por ngrirja e çmimeve nuk dha rezultate

Festat erdhën dhe po largohen por ngrirja e çmimeve nuk dha rezultate

Gazetar: Adnan Qaili

Festat erdhën e po shkojnë, por çmimet prapë mbeten të larta. Sidomos të produkteve ushqimore të fruta-perimeve dhe vezëve e orizit, masa të cilat u morën posaçërisht për muajin prill. Vendimi për ngrirjen e çmimeve do përfundojë për 10 ditë dhe përveç mos respektimit në masë të gjerë nga tregtarët, qytetarëve për festa u mbeti të blejnë sërish produkte të shtrenjta jashtë masave, sepse raftet tjera ishin të zbrazët, ku duhej të ishin fruta perimet me çmime të ngrira. Natën e Bajramit, në tregjet e gjelbra shitet njësoj me çmime të shtrenjta, ndërsa autoritetet thonë se nga java tjetër do të dalin me rezultatet se çfarë u kursye nga masat e fruta-perimeve dhe për majin pritet të ketë masa për industrinë e mishit.

“Mund të bëjmë masa që janë afat shkurtër dhe afatmesme në pjesën e heqjes së disa taksave të ngjashme. Atë më parë e kemi bërë edhe për industrinë e mishit me masa autonome për heqjen e plotë të pagesave doganore për artikuj të caktuar që importohen, kryesisht të ngrira që pastaj përdoren në përpunimin e industrisë së mishit në vendin tonë. Fillimisht, të sqarojmë me fruta-perimet deri në fund të javës që vjen dhe pastaj do pasojnë masa tjera”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, thotë që java tjetër do jetë decizive edhe rezultatet e aksionit tek tregjet me shumicë të fruta perimeve që dyshohet se kanë falsifikuar faturat doganore duke bërë evazion fiskal dhe konkurrencë jo lojale në treg, gjë e cila degjeneroi tregjet me pakicë për mos bindje të uljes së çmimeve të fruta-perimeve. Por, sërish nuk shpalosen detaje as për veprimet e Inspektoratit të tregut.

“Në pjesën e 70%-it të furnizimit të detyrueshëm të tregut me vendim të qeverisë, të thirrur në Nenet 29 dhe 30 të Ligjit për tregti, do t’ia lëmë inspektorateve që besoj se për 3-4 ditë do t’iu informojnë se çfarë do të ndodh me ata tregtarë, të cilët nuk e kanë respektuar këtë masë. Nuk bëhet fjalë për mijëra bujq vendorë por flitet për dhjetëra kompani që importojnë vitet e fundit mbi 80% të tregut me kultura bujqësore dhe nëse mbyllen ato kompani nuk do të jetë dëm i madh për shtetin”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Derisa autoritetet po përpiqen të frenojnë çmimet e produkteve të stinës, në horizont rishfaqet problemi me drithërat. Disa shtete anëtare të BE-së morën masa për ndalimin e importit të grurit nga Ukraina me rrezikun e cilësisë së tyre nga kontaminimi i luftës. Por, duke qenë se vendi ynë është i varur edhe nga importi i drithërave, nuk janë paraparë sanksione të tilla dhe varësisht nga çmimi Maqedonia e Veriut shprehet e gatshme të vazhdoj importin e grurit ukrainas sipas marrëveshjes për tregti të lirë me Kievin.

Aktualisht, për të mbuluar nevojat e konsumit të brendshëm kryesisht 1/3 e produkteve bujqësore importohen nga Turqia, Greqia, Shqipëria dhe Serbia, por pa e dëmtuar 2/3 e prodhimeve vendore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button