Filipçe e quan Mickoskin “Vuçiq i vogël”
Filipçe: Qeveria e paraqet si tradhti përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, me qëllim parandalimin e reformave
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Vuçiqi i vogël. Kështu e quajti kreu i LSDM-së Venko Filipçe, kryeministrin Hristijan Mickoski duke pohuar se Qeveria po e kopjon në çdo aspekt Qeverinë e Serbisë dhe presidentin e këtij shteti. Gjatë një brifingu me gazetarët, Filipçe tha se qëllimi është që të vendoset një sistem ku një person do ta përfaqësojë gjithë politikën dhe do të jep urdhra për të gjithë të tjerët.
“Është i qartë bashkëpunimi i kësaj qeverie me qeverinë e Serbisë të Aleksandar Vuçiqit dhe të SNS-së, personalisht me të. Qytetarët e shohin se si kryeministri Mickoski dëshiron të imitojë presidentin Vuçiq si në lëvizje, ashtu në qëndrim dhe mënyrën dhe konceptet e dhënies së deklaratave. E mori nofkën tanimë si “Vuçiqi i vogël”. Atë që e bën Vuçiqi në Serbi, e bën edhe kryeministri Mickoski tek ne”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Lidhur me ndryshimet e dorëzuara në Kuvend për Kodin Penal, Filipçe tha se janë duke i shqyrtuar dhe analizuar. Paralajmëroi dhe amendamente për të njëjtën, pasi siç tha druajnë se qëllimi i Qeverisë është të amnistojë politikanët e korruptuar. E pyetëm nëse ekziston mund të bëhet amnisti më e madhe nga ajo që e bëri pushteti i kaluar në vitin 2023 pikërisht duke i miratuar ndryshimet e Kodit Penal.
“Pajtohem se ndryshimet e kodit penal ishin të këqija dhe katastrofale. Flas për kohën tonë. Nuk duhej të ndodhin. Ato ndryshime të kodit penal i mbështeti edhe VMRO-DPMNE. Është e pa pranueshme tani të ketë forma të tjera për amnisti. E pa pranueshme është të ketë vetëm ndryshim kozmetik të ligjit e pastaj në ndonjë nen të ketë ndonjë dispozitë lehtësuese”, theksoi Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Filipçe njoftoi se sot dorëzohen emrat e anëtarëve dhe kryetarit të komisionit anketues lidhur me tragjedinë në diskotekën Pulse ndërsa akuzoi VMRO-në se ata nuk duan të ketë komision. Paralajmëroi krizë të thellë gjatë vitit 2026 me shtrenjtime dhe borxhe të reja. Borxhi mund të rritet edhe për dy miliardë euro të tjera paralajmëroi Filipçe./ Alsat.mk









