“Fillimisht ndryshimet kushtetuese, pastaj Qeveria”

"Fillimisht ndryshimet kushtetuese, pastaj Qeveria”

 Gazetar: Lluka Andreev

Ka apo jo dokument të shkruar me të cilin partitë shqiptare në vend janë zotuar të kushtëzojnë përbërjen e Qeverisë me ndryshimet kushtetuese? Sipas BDI-së, një marrëveshje e tillë është nënshkruar para disa muajve nga disa parti, disa nga koalicioni qeveritar, të tjerët nga opozita.

“Shumica e partive politike, të cilat tani janë në blloqe të ndryshme, kanë nënshkruar një dokument, në të cilin zotohen se nuk do të jenë pjesë e Qeverisë pa marrëveshje të qartë për ndryshimet kushtetuese. Fillimisht do të ketë marrëveshje, gjegjësisht ndryshime kushtetuese dhe më pas do të ketë Qeveri”, deklaroi Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.

Opozita shqiptare thotë se dokument i tillë i shkruar nuk ekziston. Fronti opozitar mbetet i mendimit se do të hyjë në koalicion qeveritar me partitë që mbështesin ndryshimet kushtetuese. Por, ata nuk theksuan se formimin e Qeverisë e kushtëzojnë me ndryshimin e Kushtetutës, duke lënë ndoshta të hapur mundësinë që kjo të ndodhë pas formimit të Qeverisë.

Më herët, në një paraqitje televizive, Arben Taravari nga Koalicioni “Vlen” tha se kusht për pjesëmarrjen e tyre në koalicion qeveritar do të jetë miratimi i ndryshimeve kushtetuese në gjashtë muajt e parë të mandatit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button