VLEN dhe BDI përplasen për lojërat e fatit

VLEN dhe BDI përplasen për lojërat e fatit

Gazetar: Adrian Kerimi

Opozita shqiptare akuzon BDI-në për siç thonë ata kurdisje të tenderëve në Lotarinë Shtetërore për favore të nëntokës ruso-serbe. Astrit Iseni nga Lëvizja Demokratike akuzoi zëvendëskryeministrin, Artan Grubi se përmes Lotarisë Shtetërore po keqpërdor 2 milionë euro, para të qytetarëve në shërbim të nëntokës nga Serbia.

“Derisa Bujar Osmani flet për verifikim të bartësve të funksioneve, kinse për të kontrolluar pastërtinë e funksionarëve, Artan Grubi përmes Lotarisë dhe Përparim Bajramit hap edhe 6 tenderë tjerë në vlerë prej 2 milion euro para të qytetarëve, për reklamim dhe marketing të lojërave të fatit dhe kazinove, që reklamat e tyre një i ri ti sheh në billbordet e qytetit, në televizion, në radio, në facebook etj. Derisa Bujar Osmani elaboron për rrezikun nga Rusia, Artani përgatit terren që njëjtë si të gjitha tenderët tjerë në Lotari, edhe këto ti fitojnë nëntoka nga Serbia!”, deklaroi Astrit Iseni, VLEN.

BDI hodhi poshtë këto akuza duke i cilësuar si vazhdimësi e agjendës proruse. Sipas Integristëve opozita shqiptare përveç që po nxit urrejtje, ajo gjithashtu po tenton të fsheh frikën nga humbja që do ta përjeton në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

“Opozita shqiptare vazhdon t’i shërben agjendave proruse dhe shfrytëzimit të fjalorit të rëndë i cili nxitë urrejtje dhe dezinformon opinionin rëndë me shpikjet e tyre të pabaza. Përfaqësuesit e Lëvizjes Demokratike sot i përsëritën shpifjet e demaskuara duke e akuzuar presidentin e ardhshëm dhe strukturat tjera të BDI-së. Shpifjet e përsëritura janë dëshmi se opozita e ndjen dhe është e sigurt për humbjen e rëndë që do ta përjeton nga kandidati për president  Bujar Osmani dhe nga Fronti Evropian në përgjithësi”, thonë nga BDI.

Akuzat mes opozitës dhe BDI-së për tenderët në Lotarinë Shtetërore datojnë prej kohësh, ndërsa së fundi u intensifikuan shkaku i mos miratimit të Ligjit për lojërat e fatit nga ana e Kuvendit në lexim të tretë. Paraprakisht i njëjti ligj nuk u dekretua nga presidenti. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button