Filloi përdorimi i testeve të shpejta për Covid-19, terminë të lira vetëm pas një jave

Testet e shpejta PCR mbërritën. Ato u lëshuan në përdorim vetëm në Shtëpinë e Shëndetit në Gjorçe Petrov të Shkupit. Bëhet fjalë për 4 mijë teste të blera veçmas nga kjo poliklinikë për pacientët e kësaj komune dhe kushtojnë nga 1 mijë denarë. Terminët janë caktuar para disa ditësh dhe nuk ka të lira për të paktën një javë.

“Jo për tjetër por ja që nuk paraqitet askush. A ke nevojë për test? Po ja thjesht dua të bëj një test!
Çfarë iu tha mjeku amë? Nuk jam paraqitur te mjeku amë, erdha këtu të pyes si shkon kjo, a mundet por ky djali më thotë se duhet të caktohet termin, por ja askush nuk paraqitet”.

“Erdha të testohem dhe me thanë patjetër përmes telefonit që të caktoj sepse i kanë mbushur për sot. Nuk më caktuan madje më thanë për javën tjetër”.

“Nuk kam arritur të caktoj, nuk e di as nuk e kam të qartë se kur u mbushën terminët! Duke kërkuar e duke pritur sot, por ja nuk doli gjë, e gjitha u bëka përmes lidhjeve”.

Qytetarët që nuk kanë arritur të caktojnë termin përmes shërbimit “Termin im” thonë se e kanë pasur me urgjencë të vijnë për testet e shpejta, rezultatet e të cilave dalin për 15-30 minuta.

Të gjithë janë të detyruar të mbushin një raport me të dhënat personale dhe simptomat apo kontaktet, ata që rezultojnë pozitiv nënshkruajnë edhe një deklaratë për vetë izolim.

“Kam të infektuar në shtëpi dhe nuk duam të tjerët të rrimë peng pa bërë teste. Por si do ta bëj? 5-6 anëtarë në familje jemi nga 4 mijë denarë, çfarë është kjo? A pyet dikush sa i kemi të ardhurat. Të jem e sinqertë, nuk kam kundër askujt asgjë, por të gjitha firmat janë të mbushur me të infektuar”.

“Duhet të shkoj në operacion, më kërkojnë kovid test. Nuk me jepeshin 3-4 mijë denarë, këtu 1 mijë denarë. Mjeku amë me tha se nuk ka termin tjetër kund andaj e kam patjetër të paguaj këtu”.

Ndërkaq, nga 13 mijë testet e shpejta si donacion sot kanë arritur në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë 3 mijë prej tyre dhe të tjerat do të arrijnë deri të mërkurën. Nga ky dikaster thonë se testet do të shpërndahen nëpër 13 spitale të shtetit, përkatësisht Klinikën Infektive në Shkup, Spitalin “8 Shtatori”, Institutin për sëmundje të mushkërive te fëmijët në Kozle dhe në Institutin për sëmundje të mushkërive tek të rriturit dhe turberkulozit në Shkup.

Për testet ultra të shpejta nuk duhet të paguhet, por do të caktohet përmes sistemit të evidencës ‘Termini im’ algoritëm i cili do të jetë i posaçëm se cilat kategori do të testohen me urgjencë, gjithnjë sipas rekomandimeve të OBSH-së – thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë me paratë e shtetit të parapara nga rebalanci i buxhetit, sipas Ministria e Shëndetësisë gjithashtu janë porositur edhe 100 mijë teste të tjera të shpejta, të cilat do të jenë falas për qytetarët, por ende nuk dihet se me çfarë çmimi referent do të mbulohen nga Fondi shëndetësor.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button