Fronti Evropian vazhdon të qëndrojë në tenda para Gjykatës Kushtetuese

Fronti Evropian vazhdon të qëndrojë në tenda para Gjykatës Kushtetuese

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Të tubuar brenda tendave, përfaqësues të Frontit Evropian dhe mbështetës të tij, vazhdojnë të “ruajnë” gjuhën shqipe përpara Gjykatës Kushtetuese. Me Moton “roje të gjuhës” para Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojnë të qëndrojnë së paku deri të mërkurën. Bujar Osmani thotë se kësaj nisme i janë bashkëngjitur edhe persona jashtë vijave partiake.

“Ne kemi punuar shumë ndër vite për të kuptuar që ky shtet është shtëpi e të gjithëve, me mundësi të barabarta dhe nuk do të lejojmë kategorizimin e kujtdo, në të parët, të dytët e të tretët ose hakmarrje për atë që është arritur në vitet e barazisë. Ky është roli i rojës së gjuhës. Nuk është iniciativë partiake por është iniciativë për të ruajtur arsyen në këtë shtet”, tha Bujar Osmani – Nënkryetar i BDI-së.

Koalicioni VLEN por edhe kryeministri Mickoski, siguruan se më 11 dhjetor gjuha shqipe nuk do të preket. Këtë Osmani nuk e beson.

“Ne do të besojmë në një gjë të tillë vetëm kur VMRO-DPMNE do të tërheqë iniciativën për shqyrtimin e ligjit për gjuhën. Nuk mund t’u besojmë njerëzve të cilët nga njëra anë ngritin iniciativë për shqyrtim nga ana tjetër thonë se do të hiqen vetëm tre nene, pastaj thonë se nuk do të ndodhë asgjë varësisht prej zhvillimeve politike”, shtoi Bujar Osmani – Nënkryetar i BDI-së.

Seanca e Gjykatës Kushtetuese është caktuar për më 11 dhjetor në ora 09 e 30 ndërsa në rend dite janë nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për përdorimin e gjuhëve si pikë e parë. Ligji është në shënjestër të 13 nismave që përfshijnë 46 subjekte. Në seancë pritet të mos marrin pjesë gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button