Fushata zgjedhore dhe respektimi i masave antiCovid

Sa u respektuan masat antiCovid në ditën e parë të fushatës zgjedhore? Flasin qytetarët...

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore u vërejtën edhe shumë shkelje të masave preventive kundër Covid-19, si distanca sociale, mbajtja  e maskës e kështu me radhë.

Disa qytetarë të anketuar nga www.alsat.mk theksojnë se pikërisht ata të cilët deri dje bënin thirrje për respektimin e masave antiCovid, për interesa të tyre partiake i shkelën të njëjtat.

“Kishte shkelje të mëdha të masave antiCovid. Megjithatë në këtë drejtim nuk janë fajtor vetëm partitë politike, por dhe qytetarët që marrin pjesë në ato tubime. Gjendja me koronavirusin nuk është e mirë, andaj duhet të kemi më shumë kujdes”, tha një qytetar.

“Nuk e di, ndoshta do të duhej të praktikohej ndonjë formë tjetër e fushatës, të shmangeshin tubimet. Sepse prezenca e madhe e njerëzve në tubime pamundëson respektimin e masave antiCovid, ndërsa pasojat do i ndjejmë më vonë”, u shpreh një tjetër qytetar.

“Nuk habitem me këtë veprim të partive, nuk jemi as të parët e as të fundit. Jeta duhet të vazhdoj, edhe aktivitetet politike gjithashtu”, tha një tjetër qytetar.

Nga na tjetër mjekja Miranda Pajaziti apelon tek të gjithë aktorët politik në vend që interesat e qytetarëve, respektivisht shëndetin e qytetarëve ta vënë para interesave partiake.

“Apelojmë që partitë politike së pari të kenë interes për  shëndetin e qytetarëve, përpara interesit të votave dhe tubimeve, sepse kjo do të kontribuoj në një katastrofë të madhe të rritjes së numrit të të sëmurëve. Ndërsa tani kemi një rënie të madhe të të hospitalizuarve dhe të mos vijmë serish në një tragjedi të madhe”, deklaroi Miranda Pajaziti, mjeke. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button