Gashani: Po punojmë që Kosova të organizojë Lojëra Mesdhetare sipas standardeve më të larta
Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka njoftuar se është mbajtur Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Sigurinë e Ngjarjeve të Mëdha Sportive, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në konferencë morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ndërsa u diskutua për organizimin e sigurisë bazuar në përvojën e Lojërave Olimpike të Parisit.
“Suksesi i këtij projekti nuk ndërtohet në ditën e hapjes së Lojërave, por çdo ditë përmes planifikimit, koordinimit dhe përkushtimit institucional. Po punojmë çdo ditë për të siguruar që Kosova të jetë e gatshme të organizojë Lojëra Mesdhetare sipas standardeve më të larta evropiane”, ka shkruar Gashani.
Ai shtoi se synimi është që “Prishtina 2030” të lërë një trashëgimi të qëndrueshme për sportin dhe rininë në Kosovë.
Konferenca konsiderohet si një hap i rëndësishëm në rrugën drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare, me institucionet vendore që kanë nisur tashmë koordinimin dhe planifikimin strategjik për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe profesional për pjesëmarrësit dhe vizitorët./KosovaPress.








