Gashi për vizitë zyrtare në Sofje, Mickoski thotë se raportet mes dy vendeve po radikalizohen / “Rrezikuan sigurinë e gruas dhe djalit tim”

Gazetare: Fatlume Dervishi

Raportet mes Shkupit dhe Sofjes nuk shkojnë drejt përmirësimit por drejt radikalizimit. Kështu e kategorizoi kryeministri Hristijan Mickoski situatën, i pyetur nëse me vizitën e kreut të Kuvendit Afrim Gashi në Sofje, vëren përmirësim të raporteve. Mickoski u ankua për publikimin në mediat bullgare të notës diplomatike për vizitën private të bashkëshortes dhe djalit të tij në Bullgari.

“Imagjinoni tani ne të nxjerrim të gjitha notat diplomatike që dërgohen nga fqinji ynë lindor dhe praktikisht në ato nota diplomatike shkruajnë gjëra që mund të jenë interesante edhe për publikun. Pra, dje pashë një precedent. Në fund të fundit, ne jemi një shtet anëtar i NATO-s. E shfrytëzoj këtë mundësi për t’i kërkuar falje gruas sime dhe djalit tim të vogël Antonio që u detyruan të durojnë të gjitha këto. Por të gjithë këta tregues që shohim nuk thonë se po shkojmë drejt përmirësimit, por përkundrazi, ato kanë disa lëvizje amatoreske që për mua janë krejtësisht të paarsyeshme dhe të paqarta”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Nota diplomatike të cilës i referohet Mickoski është një letër nga Ambasada Maqedonase në Sofje që informon Ministrinë e Punëve të Jashtme Bullgare se bashkëshortja e Kryeministrit dhe një nga djemtë e tij do të udhëtojnë për në Pamporovë, Bullgari. Njoftimi mban datën 6 janar të këtij viti dhe i referohet një udhëtimi dy ditë më vonë, më 8 janar.

Dokumenti diplomatik u publikua ditëve të fundit në mediat sociale dhe portalet bullgare kurse përveç datës së udhëtimit, ai tregon kohën e përafërt kur gruaja dhe djali i vogël i Mickoskit do të kalojnë kufirin midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, si dhe detaje rreth anëtarëve të sigurimit, automjetet me të cilat udhëtojnë, pajisjet e komunikimit dhe armët që mbajnë me vete. Kryeministri tha se në këtë mënyrë rrezikohet siguria e tyre.

Ndërkohë kreu i Kuvendit Gashi qëndron në Sofje në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Mediat bullgare informuan se biseda mes Docovës dhe Gashit zgjati rreth 30 minuta. Pas takimit, Docova deklaroi se i ka shprehur homologut të saj shqetësimin e Bullgarisë për, siç tha ajo, “shtimin e incidenteve dhe sjelljeve antibullgare” në Maqedoninë e Veriut.

“Patëm një bisedë konstruktive me z. Gashi. Sigurisht, shpreha shqetësimin tim dhe të vendit tonë në lidhje me sjelljen në rritje anti-bullgare, si dhe sulmin e paprecedentë ndaj makinave diplomatike të misionit tonë. Ajo që presim si vend është një ndëshkim i drejtë. Mora një ftesë nga z. Gashi për të vizituar Shkupin, Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sigurisht, e pranova këtë ftesë”, tha Mihaela Docova, Kryetare e Kuvendit të Bullgarisë. 

Gashi paraprakisht ishte deklaruar pozitivisht për pritjet e tij nga vizita./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button