Gjendja alarmante me zjarrin në Parkun Kombëtar “Pelister”

Gazetare: Amila Rashiti

Zjarri fillimisht shpërtheu në zonën e fshatit Makazi të Resnjës dhe më pas u përhap në Pelister. Shfaqja e njëkohshme e zjarrit në disa vende krijoi një vijë të gjatë zjarri që u zhvendos me shpejtësi drejt fshatit Pretor dhe vargmalit. Pas ndërhyrjeve gjatë natës dhe gjatë ditës së sotme, zjarri është lokalizuar. Megjithatë, ekipet mbeten të mobilizuara për shkak të rrezikut nga erërat e forta.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, shprehu dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, bazuar në vëzhgimin se në disa vende të Resnjës ka shpërthyer zjarr njëkohësisht.

“Ndërsa zjarrfikësit po përpiqeshin ta vinin zjarrin nën kontroll, një zjarr i ri u shfaq më larg tyre, në një vijë më të gjatë zjarri, duke treguar se ky zjarr ishte ndezur qëllimisht”, deklaroi Stojançe Angellov, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Pelister”, Ivanço Toshevski mbrëmë tha se janë lënduar dy zjarrfikës, megjithatë gjatë ditës së sotme, Angellov tha se nuk bëhet fjalë për zjarrfikës, por për një shofer të eskavatorit, i cili është lënduar gjatë intervenimit.Gjendja e tij shëndetësore mbetet stabile.
Ndërkohë në territorin e shtetit vazhdon të ketë vatra aktive të zjarrit. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button