Pas homazheve në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Kurti kërkoi nga Serbia hapjen e arkivave
Ushtruesja e detyrës së presidentes në Kosovë, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti kanë bërë homazhe sot te Memoriali i Personave të Zhdukur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë. Haxhiu tha se ende janë mbi 1500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës dhe se kërkimet po vazhdojnë.
“Janë edhe mbi 1,500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, të cilët ende nuk janë gjetur. Për familjet pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës ende vazhdon të jetë një kapitull i hapur i cili nuk do të mbyllët deri sa të gjendet edhe personi i fundit. Kërkimet nuk janë ndalur dhe janë gjetur mbetje mortore. Vetëm në muajin e fundit në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave”, tha Albulena Haxhiu, Presidente e Kosovës në detyrë.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti rikujtoi zotimin e Serbisë për bashkëpunim në hapjen e arkivave, duke theksuar rëndësinë e deklasifikimit të dosjeve të ushtrisë ish- Jugosllave. Ai theksoi se Kosova nuk mund të presë deri në vitin 2044 për hapjen e arkivave, duke e lidhur njëkohësisht klasifikimin e tyre me periudhën kur Aleksandar Vuçiq ishte ministër i Mbrojtjes i Serbisë.
“Nuk mund të presim deri në vitin 2044 që të hapen këto arkiva. Ato do të duhej që të hapeshin që dje, që pardje. Ndërkohë që janë klasifikuar pikërisht në vitin 2014, atëherë kur presidenti aktual i Serbisë, Vuçiç, ishte ministër i Mbrojtjes dhe ishte gjithashtu dhe koordinatori i shërbimeve sekrete informative. Tash merreni me mend, ky që është presidenti i Serbisë sot, në vitin 2014 kur janë klasifikuar dosjet e Ushtrisë Jugosllave që kanë kryer krime në Kosovë, e në veçanti e brigadës së motorizuar 37, ka qenë ministri i Mbrojtjes dhe koordinatori i shërbimeve informative dhe sekrete të Serbisë”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës në detyrë.
Kurti kërkoi nga BE t’i bëj trysni shtetit serb që të hap këto arkiva. Ai tha se kjo është një plagë e hapur për të cilën duhet të vihet në vend përgjegjësia. Ndërkohë kanë vazhduar gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël të komunës së Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë operacione kërkimi, pasi dyshohet se në këtë lokacion mund të ketë një varrezë masive nga lufta e fundit në Kosovë./Alsat.mk.








