Haxhiu: Do të arrihet marrëveshje VV-LDK për konstituimin e Kuvendit
Ushtruesja e detyrës, presidente e Kosovës Albulena Haxhiu është shprehur optimiste se do të arrihet një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, gjatë javës se ardhshme. Haxhiu u shpreh gjithashtu se është e rëndësishme që kjo marrëveshje të përmbyllet sa më shpejtë me qëllim që të ecet përpara. Ndërkohë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyre Albin Kurti, edhe mbrëmë është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Pas takimit për presidentin, Kurti la të nënkuptohej se akoma s’ka marrëveshje për emrin konsensual. Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të, zgjedhjet për të cilën u mbajtën më 7 qershor. Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend.
“Uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, për shkak se është shumë e rëndësishme që të ecin përpara, duke pasur parasysh përgjegjësinë që kemi, reformat që duhet të vazhdojnë, por edhe obligimet që kemi, sidomos në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, në NATO, por edhe në shumë mekanizma të tjerë. Prandaj, le të shpresojmë që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për për procesin e ardhshëm”, deklaroi Albulena Haxhiu, U.D presidente e Kosovës./Alsat.mk.








