Gjendje alarmante me zjarret në rajon, në Shqipëri dhe Mal të Zi janë shënuar dhe viktima
Gjendje alarmante me zjarret në rajon, në Shqipëri dhe Mal të Zi janë shënuar dhe viktima
Gazetar: Avni Tahiri
Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova po përballen me një valë të rrezikshme zjarresh si pasojë e temperaturave ekstreme, thatësira, stuhitë por edhe zjarrvënie të qëllimshme.
Brenda 24 orëve të fundit në Shqipëri, janë regjistruar 37 vatra aktive zjarri, kryesisht në zona malore dhe pyjore. Për shkak të zjarrit është raportuar edhe për një viktimë ndërkaq dyshohet se edhe dy të tjerë kanë humbur jetën nga asfiksimi, ndërsa disa tjerë kanë mbetur të lënduar.
Një nga zjarret pranë Delvinës, dhjetë shtëpi të pabanuara janë shkatërruar plotësisht nga zjarri, bashkë me një kishe ndërsa po ashtu është raportuar edhe për dëme në bagëti në disa zona ku zjarret janë aktive.
Autoritetet shqiptare janë në gatishmëri të lartë, ndërsa kanë nisur të marrin ndihmë nga disa vende të huaja, përfshirë Greqinë, Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkohë, Mali i Zi po ashtu po përballet me situatë të ngjashme në disa rajone, duke përfshirë Podgoricën, Gjirin e Lushticës, malin Lovcen dhe disa komuna të tjera. Një ushtar ka humbur jetën gjatë përpjekjeve për të shuar zjarret, ndërsa autoritetet kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të menaxhuar krizën.
Në Kosovë, situata e zjarreve mbetet po ashtu shqetësuese, me një numër të konsiderueshëm rastesh të dyshuara për zjarrvënie të qëllimshme. Sipas raportimeve, gjatë periudhës së fundit 633 zjarre janë raportuar në të gjithë vendin, nga të cilat nëntë janë ende aktive, dhe 23 persona janë arrestuar për zjarrvënie. Po ashtu, policia ka trajtuar 193 raste lidhur me shkaktimin e zjarreve.
Zjarret janë përkeqësuar ndjeshëm edhe për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë jugun e Europës dhe pritet që kushtet e motit të mbeten sfiduese edhe në ditët në vijim. Zyrtarët lokalë dhe ndërkombëtarë po bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe mobilizim të burimeve për të shmangur një katastrofë më të madhe. /Alsat.mk








