Gjuha e urrejtës rikthehet në stadiume, FFM: Ofendimet nuk kanë vend në sport
Gjuha e urrejtës rikthehet në stadiume, FFM: Ofendimet nuk kanë vend në sport
Gazetar: Mahir Thaçi
Ofendimet në bazë nacionale sërish janë rikthyer në futbollin vendor. Fyerjet e fundit u bënë në Manastir në ndeshjen Pelisteri- Shkëndija. Tifozët “Çkembari” brohoritnin “dhoma gazi për shqiptarët”. Sipas trajnerit Afrim Bajramit, këto akte të pahijshme të sportit, mund të ndikojnë edhe në jetën e përditshme jashtë stadiumeve.
“Ka mare një hov kohëve të fundit dhe duhet të kemi kujdes si shoqëri nëse duhet të lejojmë këtë apo jo. Nuk është mirë, nuk është mirë për familjarët që shkojnë në stadium sportive, ndeshjet sportive. Është dekorajuese për ata që planifikojnë të shohin ndeshje të mëdha në stadiume…Gjuha e urrejtjes zakonisht sjellë edhe urrejtje edhe dhunë. Nuk është çudi që ajo urrejtje që shfaqet në tribunat e stadiumeve në realitet dhe në jetën e përditshme , qoftë edhe nëpër sheshe, qoftë në qytet”, deklaroi Afrim Bajrami, trajner i sportit.
Sipas Bajramit, dënimet për secilin përgjegjës për dhunën ose gjuhën e urrejtjes janë të mëdha, por që në realitet nuk gjejnë aplikimin e plotë.
“Dënimet janë të mëdha. Raportet me policinë që i kam tregojnë se dënimet janë të mëdha, por fatkeqësisht ata ngelin vetëm në letër dhe jo të implementime aty ku duhet…”, tha Afrim Bajrami, trajner i sportit.
Ndërkohë Federata e Futbollit të Maqedonisë, dënon ashpër çdo formë të ofendimeve në baza etnike, racore apo religjioze që ndodhin gjatë ndeshjeve të futbollit dhe jashtë tyre.
“Ne apelojmë te të gjitha tifogrupet dhe individët që të tregojnë respekt ndaj njëri-tjetrit dhe të kontribuojnë për një atmosferë të denjë dhe sportive në stadiume. Çdo provokim, ofendim apo akt që nxit përçarje nuk ka vend në sport. Bashkëpunimi ynë me klubet, tifozët dhe institucionet do të vazhdojë për të siguruar se futbolli mbetet një shembull pozitiv i tolerancës dhe bashkimit”, njoftojnë nga Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM).
Nga ana tjetër futbollistët dhe ekipet e sportit kërkojnë anim korrekt në tribunë. /Alsat.mk