Mexhiti: Qeveria mori vendim, 20 milionë euro për sheshin “Skenderbeu”
Mexhiti: Qeveria mori vendim, 20 milionë euro për sheshin "Skenderbeu"
Gazetare: Ajnur Bafqari
Qeveria në mbledhjen e sotme mori vendim për ndarjen e 20 milionë eurove për financimin e projektit për sheshin “Skenderbeu”. Bëhet fjalë për ndërtimin e parkimit nëntokësor që siç tha zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti, do ta zgjidhë problemin shumëvjeçar me mungesën e vendparkimeve në këtë rajon. Punimet pritet të fillojnë në vitin 2025, ndërsa parashihen 371 vende për parkim në dy nivele nëntokësore. Të gjitha fazat e projektit do të zhvillohen në mënyrë transparente, theksoi Mexhiti.
“Qeveria ka vendosur që të ndajë 20milion euro për financimin e projektit për ndërtimin e garazhit nëntokësor shumëkatësh pranë sheshit “Skenderbeu” në Shkup. Ky projekt shumëvjeçar parashikon ndërtimin e 371 vendeve të reja për parkim të shpërndara në dy nivele nëntokësore me një sipërfaqe totale prej më shumë se 13mijë m2. Gjithashtu do të sigurohen një numër i përshtatshëm vendesh parkimi për persona me nevoja të veçanta”, deklaroi Izet Mexhiti, zv.kryeministër.
Ndërsa kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se me përfundimin e këtij projekti, në metra katrore, Shkupi do ta ketë sheshin më të madh edhe se Tirana.
“Qeveria arriti ta kalojë edhe fazën e tretë, apo investimin në parkingun nëntokësor në këtë shesh, ashtu që ky shesh pranë mozaikut, pranë Skënderbeut do të jetë edhe më i madh dhe mund lirisht të lavdërohemi se në të ardhmen, në metra katror do ta ketë sheshin më të madh edhe se Tirana”, tha Visar Ganiu, Kryetar i Komunës së Çairit.
Ganiu këto komente i bëri gjatë aktiviteteve për shënimin e festave të nëntorit, që u mbajt pikërisht në këtë shesh. /Alsat.mk