Gjyqësori sërish ishte më i kritikuari gjatë vitit që sapo lamë pas

Gjyqësori sërish ishte më i kritikuari gjatë vitit që sapo lamë pas

Gazetar: Adrian Kerimi

2023 shënoi edhe një rënie drastike të besimit në sistemin gjyqësor dhe sundimin e ligjit në vend. Gjithçka nisi me shkarkimin e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva përmes një procedura e cila ishte e kontestuar që në fillim.

Për të mos mjaftuar fakti se vendi kishte filluar procesin e skriningut në kapitujt sundimi i ligjit, ndryshimet në Kodin Penal rrënuan sistemin. Të gjitha lëndët për të cilat pushteti aktual pretendonte prej sa vitesh se do të ketë përgjegjësi u vjetërsuan dhe pushuan. Nga dënimet me burg shpëtuan siç thoshte pushteti aktual, ish funksionarët e regjimit: Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov, Mile Janakievski dhe shumë të tjerë.

Propozimi i ndryshimeve në Kodin Penal u paralajmërua se do t’i dridh themelet e koalicionit qeverisës, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga tha se u gjet para aktit të kryer dhe se propozim-ndryshimet në Kodin Penal kanë kaluar në Qeveri dhe janë dorëzuar në Kuvend derisa ai ka qenë jashtë vendit. Ndryshimet mbanin firmën e zëvendësministres së Drejtësisë.

Në muajin qershor pa paralajmërim një avokat nga Shkupi i kërkoi Gjykatës Supreme të rikthen në fuqi abolimin e ish presidentit Gjorge Ivanov përmes një qëndrimi parimor që duhej të sillej nga Gjykata më e lartë në vend. Lufta e Supremes dhe kundërshtimet ndaj kësaj nisme vazhdojnë edhe sot dhe mund të jenë baza për shkarkimin e kryetares së kësaj gjykate, Besa Ademi.

Në shtator Bashkimi Evropian dërgoi një mision vlerësues për punën e Këshillit Gjyqësor nga raporti i të cilit dolën 40 rekomandime të cilat këshilli dhe çdo qeveri e ardhshme duhet t’i ketë për prioritet. Në raport është rekomanduar mungesa e transparencës në punën e këshillit dhe gjykata, ndërsa është potencuar edhe fakti se ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Gjykatës Supreme edhe pse janë anëtarë të këshillit sipas detyrës zyrtare, nuk obligohen për të qenë pjesë e seancave të këshillit, përkatësisht mungesa e tyre ne seanca nuk bie ndesh me ligjin.

Në këmbim, Lloga propozoi ligj për amnisti, por shumica parlamentare respektivisht partnerët e koalicionit e tradhtuan dhe propozimi nuk mori dritën jeshile në fazën e nevojës. Për këtë partia e tij paralajmëroi masa të llojit me dalje nga Qeveria, por një e tillë nuk ndodhi.

Ndonëse pritej sanksionimi i gjykatësit i cili duke ruajtur në sirtarë lëndët e Mijallkovit e shpëtoi atë nga shumica e dënimeve, Këshilli Gjyqësor vendosi që Enver Bexheti të kalon me gjobë dhe të mos shkarkohet nga pozita.

Administrata gjyqësore tashmë disa muaj proteston për të kërkuar rroga më dinjitoze, por kërkesat e tyre vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër me arsyetimin e autoriteteve se buxheti për vitin që sapo ka filluar nuk premton rritjen e rrogave për punonjësit administrativ në sistemin gjyqësor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button