Godina e Teatrit të Tetovës akoma larg finalizimit

Godina e Teatrit të Tetovës, në vitin e 7 nga hedhja e gur themelit, ka ngecur në fazën e parë të ndërtimit. Ndonëse premtimi i qeverisë së kaluar VMRO-BDI ishte se objekti do të përfundonte deri në vitin 2018, punimet janë ende larg finalizimit. Deri më tani, me gjithë vonesat e bëra, janë harxhuar 13.5 milion euro, ndërsa nga Teatri thonë se edhe rreth 26 milion euro do jenë të nevojshme për fazën e dytë të tij. Autoritetet kompetente vonesat i arsyetojnë me zgjedhjet dhe pandeminë.

Kemi pasur zgjedhje, u prolonguan punët u shtyn për më vonë dhe me siguri këto kanë ndikuar zvarritjen e vitit që e humbëm që neve gjithsesi na kushton kjo. Ajo që mund të them është se dëshira jonë është që për tre vite të përfundojë por gjithçka do varet prej Qeverisë se sa ka buxhet dhe sa mund të sigurojë mjete që dinamikën që do e japim ta realizojmë përmes financave – deklaroi Artan Arsllani, UD drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Tetovë.

Këto vonesa dëmtojnë edhe Teatrin e Tetovës. Drejtori i saj, Bekim Ismaili, thotë se në mungesë të hapësirave të reja dhe kushteve për Teatrin aktual, realizohet vetëm gjysma e projekteve.

Është e vërtetë se shkaku i mungesës së objektit, kushteve, ne bëjmë planin vjetor, pra edhe ky plan për 2021 është planifikuar mbi bazë të këtyre kushteve. Po të kishim objektin e ri besoj se do kishim numër më të madh të projekteve – deklaroi Bekim Ismaili, drejtor i Teatrit të Tetovës.

Sipas të informatave të televizionit Alsat, policia financiare ka kontrolluar dokumentacionin dhe projektin për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në Tetovë, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime. Premtimi i ri është se punimet do të përfundojnë në vitin 2025.

Bashkim Sulejmani

LEXO EDHE:

Back to top button