Goditet rrjeti i “botoksit” fals: 6 në paraburgim, para dhe preparate të sekuestruara, alarm për shëndetin publik

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Gjykata Penale ka caktuar masën e paraburgimit për gjashtë persona të dyshuar për “botoksin” dhe “fillerët” e falsifikuar. Për katër persona gjykata ka caktuar masa të arrestit shtëpiak, ndërsa për nëntë të tjerë masa kujdesi.  Ata dyshohen për veprat penale “bashkim kriminal”, “shkelje të të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim të paautorizuar të firmës së huaj” dhe “marrje ryshfeti”. Gjatë kontrolleve në disa lokacione, policia ka sekuestruar sasi të mëdha barnash  si fillerë, botoks dhe acid hialuronik, mbi 39 mijë euro, 2.490 franga zvicerane dhe 26 mijë denarë, si dhe një makinë “Porsche”, parfume, telefona celularë dhe sende të tjera.  Ndërkaq, kompanitë e sektorit shëndetësor nga Lidhja e Odave Ekonomike kërkojnë veprim institucional të plotë dhe transparent për përcaktimin në kohë të fakteve dhe marrjen e masave sipas ligjit.

“Mbetemi të përkushtuara fort ndaj mbrojtjes së pacientëve, përmirësimit të standardeve profesionale dhe respektimit të normave më të larta etike në punë, me një qëndrim të qartë për tolerancë zero ndaj çdo forme abuzimi në shëndetësi. Theksojmë nevojën për mbikëqyrje të shtuar dhe masa sistematike parandaluese, me qëllim parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen,” thanë nga Lidhja e Odave Ekonomike.

Të dyshuarit janë mjekë të punësuar në Spitalin “8 Shtatori” dhe një në Klinikën e Dermatologjisë në Shkup. Disa janë pronarë dhe menaxherë të ordinancave private dermatologjike dhe firmave, si dhe persona që kanë organizuar transportin, magazinimin dhe shitjen e preparateve mjekësore të futura ilegalisht. Të dyshuar janë edhe 6 persona juridikë. Në kuadër të hetimit, i dyshuar është edhe një nëpunës doganor i cili, me qëllim përfitimi të paligjshëm, në dy raste ka marrë ryshfet për të lejuar hyrjen e mallrave të paligjshme në shtet pa u kryer kontrolli i detyrueshëm doganor Botoksi dhe preparatet e tjera false janë transportuar nga Serbia, Koreja dhe Turqia. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button