Greqia feston 200-vjetorin e pavarësisë

Greqia donte ta festonte me bujë 200-vjetorin e pavarësisë prej Perandorisë Osmane. Por për shkak të pandemisë grekët do ta ndjekin paradën vetëm në televizor.

Në Greqi këtë përvjetor e kishin imagjinuar ndryshe. Me festivale fshatrash dhe parada shkollash, festime me shumë të ftuar të shquar, veçanërisht nga Anglia, Franca, Gjermania dhe Rusia – vende në shekullin e 19-të ishin filohelene dhe i mbështetën grekët për të fituar pavarësinë. Njerëzit dëshironin të festonin me gëzim, krenari dhe një vështrim të sigurt drejt së ardhmes, sidomos dhjetë vjet pas fillimit të krizës prej borxheve të shtetit.

2021 – viti i përkujtimit të 200 vjetorit të Revolucionit Grek – me 25 marsin si ditë kryesore të kremtimeve. Por pandemia e koronës i fshiu të gjitha planet.

Pa flamuj, pa entuziazëm

Greqia feston vetëm me një paradë ushtarake në Athinë, pa spektatorë, pa fëmijë, pa flamuj, pa entuziazëm. Automjetet e blinduara po parakalojnë përmes një qyteti të zbrazur.

Dhe avionët luftarakë grekë, amerikanë dhe francezë do t’i prezantojnë aftësitë e tyre akrobatike vetëm për teleshikuesit – duke u treguar si rastësisht edhe fqinjëve turq sa të fortë janë bërë të nënshtruarit e dikurshëm pas 200 vjetësh.

Ideja fillestare e qeverisë greke nën kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që të ftonte krerët e shteteve të Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë si të ftuar nderi më 25 mars lidhet me faktin se tre ish-fuqitë e mëdha i ndihmuan dikur grekët me fitoren e tyre mbi flotën osmano-egjiptiane në Navarino në tetor 1827 në rrugën drejt lirisë së tyre të dëshiruar. Beteja detare e Navarinos konsiderohet të jetë fillimi i fundit të Perandorisë Osmane – dhe dha një kontribut të madh në krijimin e Greqisë si shteti i parë i pavarur në Ballkan.

LEXO EDHE:

Back to top button