Grubi dhe Bexheti në listën e zezë, Ageler: DASH ndërmori hapa të fuqishëm kundër korrupsionit

Grubi dhe Bexheti në listën e zezë, Ageler: DASH ndërmori hapa të fuqishëm kundër korrupsionit

Gazetar: Zekirja Haxhiu

Ata që e minojnë sundimin së drejtës për shkak të përfitimeve personale, e në kurriz të popullit në Maqedoninë e Veriut, duhet ta kuptojnë se korrupsioni ka pasoja. Ky ishte mesazhi i ambasadores amerikane në vend, Angela Aggeler, pasi njoftoi se ish zv.kryeministri Artan Grubi dhe gjykatësi Enver Bexheti janë vendosur në listën e zezë të Departamentit të Shtetit. Ageler tha se nuk e kanë për detyrë që t’ua dorëzojnë institucioneve të drejtësisë informacionet apo dëshmitë. Nëse mund t’i gjejmë ne, munden edhe ata – thotë Ageler. Lista e zezë nuk përfundon këtu, paralajmëroi ambasadorja.

“Departamenti amerikan i shtetit ndërmori hapa të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, duke vendosur ish zv.kryeministrin e qeverisë, Artan Grubi si dhe gjykatësin e Apelit Enver Bexheti në listën e zezë, bazuar në nenin 7031C, për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion dhe ndikimin e tyre në gjyqësor. Falë kësaj, atyre dhe familjeve të tyre u ndalohet hyrja në SHBA. Po shqyrtohen edhe sanksione të tjera në Uashington”, deklaroi Angela Aggeler – Ambasadore e SHBA-ve.

Grubi e Bexheti, sipas dyshime të bazuara, kanë pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimet e Sasho Mijallkovit, ish drejtor në DSK. Dyshimet për bashkëpunim mes Grubit dhe Mijallkovit u rritën edhe më tepër kur në rrjetet sociale u publikuan fotografi nga një takim mes tyre në një hotel në Shkup. Aggeler nuk e ka të qartë përse këto dyshime të SHBA-ve nuk ngrihen nga organet gjyqësore në Maqedoni të Veriut. Ajo përsëriti se në vendin tonë ka një epidemi të korrupsionit që ajo e quan si kancer i shoqërisë.

“Drejtësia është e verbër. Ne thjeshtë shqyrtojmë individët dhe evidencat që kemi. Pyetja se si këto raste kalojnë nëpër proces këtu, është një që edhe unë pyes veten gjithashtu. Nëse evidencat janë publike, dhe janë, atëherë ju keni njësit për hetime financiare, keni polici financiare, keni prokurorë, keni gjykatës. D.m.th kemi një proces në dispozicion këtu, dhe mendoj se populli i këtij shteti dëshiron që të ndodhë”, tha Angela Aggeler – Ambasadore e SHBA-ve.

Ageler tha se vendosja e Grubit dhe Bexhetit në listën e zezë nuk ka të bëjë fare me paralajmërimet e Qeverisë për reformat në gjyqësor, pasi për kohën dhe emrat në listën e zezë, vendosë Uashingtoni. Megjithatë. Ajo këmbënguli me shpresën se pavarësisht ligjeve, rasti në fjalë dhe rastet e tjera të mëhershme të caktuara në Listën e Zezë të procedohen nga sistemi ynë gjyqësor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button