Një pjesë e Haraçinës 50 ditë pa energji elektrike, banorët të revoltuar protestojnë para zyrës së EVN-së

Kjo është revolta e banorëve të rrugës 10 në Haraçinë e shkaktuar nga 50 ditë mungesë e energjisë elektrike. Ata u mblodhën tek zyrat e EVN-së në Butel dhe me këmbëngulje kërkonin takim me drejtorin. Duke bërtitur u afruan deri në hyrjen kryesore  ku hasën në pjesëtarët e sigurimit privat të angazhuar nga EVN. Drejtori i filialit në fjalë  pranonte të takohej vetëm me tre banorë me kushtin që biseda mes tyre të realizohej pa praninë e kamerës së Televizionit Alsat. Kjo nuk ishte e pranueshme për banorët. Situata eskaloi dhe turma tentoi të hyjë me forcë në hapësirat e EVN në Butel.

Nuk kaloi shumë kohë dhe ne vendngjarje mbërritën edhe forcat e policisë  të cilët së bashku me sigurimin u pozicionuan para hyrjes kryesorë për të penguar banorët dhe tentimin e tyre për të hyrë brenda me dhunë.

Banorët e rrugës 10 në Haraçinë thonë se ju vijnë fatura të majme, të cilat i paguajnë rregullisht dhe pavarësisht kësaj nuk kanë energji elektrike nëpër shtëpitë e tyre.

“E ndaj bukën nga goja dhe e paguaj rrymën. Jemi që 50 ditë sot, është dita e 50 pa rrymë. Çdo 15-20 minuta kemi rryme dhe hiç më tepër. Ku është krejt problemi ato mund ta dijnë. A janë duke e ndaluar prej në vend, apo e bëjnë këtë vetëm pse jemi shqiptarë nuk e di. Krejt këto fatura mund t’i tregojmë para kamerës, seose të gjitha janë të paguara. Nga 24 orë , vetëm 2 orë kemi rrymë.”

“Ose me nxjerr në pllakatë atje “ Shitet Muhalla” edhe me ik, tjetër rrugëdalje për ne nuk ka.”

“A keni kërkuar të vijnë të kontrollojnë sahatet? Kemi kërkuar, po vetëm kanë ndërruar sahatin. S ka mbetur gjë tjetër, vetëm emrin ta ndërrojmë.”

Mungesa e energjisë elektrikë I lë edhe pa ujë pasi shumica prej tyre ujin për pijë e sigurojnë nga puset me motorë elektrik.

“Domethënë tek ne ndalet rryma, ndalet uji. Ne këtu trajtohemi si kafshë”

Ky banorë ka një market në këtë rrugë. Produktet e mishit dhe bulmetit shpeshherë i përfundojnë në kosh të plehrave për shkak se frigoriferët nuk punojnë.

“Pa rrymë është katastrofë. Kam 8 frigorifer. Ka artikuj ushqimorë, sidomos tek ato dy frigoriferët atje. Janë prishu produktet, i kam marrë i kam hedhur në kontejner.”

Mungesa e energjisë elektrike privon nga ndjekja e mësimit online edhe nxënësit. Ata nuk kanë ku të mbushin me rrymë pajisjet e tyre.

Jo, sepse nuk kemi rrymë. Nuk kemi as internet. Nuk e di, ka një javë ndoshta “- Ku e mbushni me bateri nëse nuk keni rrymë? – Në veturë. E kam ndez veturën, vetura punon vetëm më ndjek fëmijët mësimin online.”

Drejtori i filialit të EVN-së në Butel më në fund pranoi banorët me kushtet që i vendosi vetë ai. Rezultati i këtij takimi ishte zgjidhja e problemit, por nuk dihet nëse është zgjidhje e përkohshme apo e përhershme.
Nga EVN Maqedoni, thonë për Alsat se  ekipet e tyre përballen me vështirësi në terren

EVN:

Konsumatorët e këtij rajoni lidhen në mënyrë joligjore në sistemin distributiv, me çka gjatë gjithë kohës shkaktojnë defekte. Lidhja e paligjshme në rrjet shkakton defekte të cilat riparohen shumë rëndë dhe për periudhë më të gjatë kohore, shkakton dëme materiale dhe rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve. EVN Maqedoni gjithmonë i planifikon kapacitetet e konsumit sipas numrit të konsumatorëve të cilët në mënyrë ligjore me anë të kërkesave dhe dokumentacionit përkatës për shfrytëzim të energjisë elektrike, janë të lidhur në rrjetin distributiv. Rrjedhimisht, përderisa të gjithë konsumatorët janë të lidhur në mënyrë ligjore në rrjetin distributiv, nuk do të ekzistojë mbingarkesë në rrjet dhe nuk do të shkaktohet rënie e sistemit distributiv për të gjithë rajonin.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button