Haxhiu: Synojmë 500 mijë zemra
Haxhiu: Synojmë 500 mijë zemra

Albulena Haxhiu, ministre e drejtësisë së Kosovës dhe zyrtare e lartë e Vetëvendosjes, në një intervistë për Alsat tha se synimi i VV-së është që në zgjedhjet e 9 shkurtit të fitojnë 500 mijë zemra të qytetarëve duke i cilësuar këto si zgjedhjet më të rëndësishme. Ajo tha se me këtë VV synon që Qeverinë e ardhshme ta formojë pa u kushtëzuar nga lista serbe. Haxhiu tha se nuk duhet të varemi nga ky subjekt e as nga subjektet të cilat i quajti klub i stërvjetëruar.
“E kemi vendosur një synim të cilin po e quajnë si arrogancë. Kjo nuk është arrogancë, kjo është synim që ia kemi vendosur vetes që të arrijmë t’i kemi 500 mijë zemra të qytetarëve të Kosovës, 500 mijë vota, për VV-në në mënyrë që të vazhdojmë të papenguar, pakushtëzuar prej asnjë prej subjekteve politike, kur flas këtu e kam fjalën për listën serbe, pra ne nuk duhet të varemi assesi nga ky subjekt politik, poashtu nuk duhet të varemi nga subjektet politike të cilat ne i quajmë klub i stërvjetëruar i partive politike”, deklaroi Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë së Kosovës.
E pyetur për raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zgjedhjes së Trampit për president, Haxhiu tha se raportet janë të mira dhe Amerika është aleat i rëndësishëm.
“Ne i kemi aleat të fuqishëm, por natyrisht i kemi qëndrimet tona kur bëhet fjalë sidomos për aspektin e negociatave me Serbinë. Qeveria Kurti ka treguar dhe ka dëshmuar që nuk bën marrëveshje që janë në kundërshtim me Republikën e Kosovës, nuk shtyn përpara Zajedincë që ka për qëllim bosnjizimmin e Republikës së Kosovës, andaj qëndrimet tona natyrisht se do t’i mbrojmë, do t’i argumentojmë, do të angazhohemi që ato të shtyhen përpara mirëpo asnjëherë nuk bëjmë koncesione dhe marrëveshje të cilat e rrezikojnë Kosovën dhe interesat e qytetarëve tanë”, shtoi Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë së Kosovës.
Haxhiu tha se Qeveria Kurti gjatë këtij mandati ka arritur ta zmbrapsë Serbinë në shumë kërkesa duke përmendur ndalimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, referendumit dhe të gjitha veprimet që kanë cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial. Ajo akuzoi opozitën se ata nuk kanë dashur që Kosova të shtrijë sovranitetin në veri, për shkak të pazareve që ata kanë bërë në kurriz të Kosovës dhe qytetarëve /Alsat.mk