“Helmimi i nxënësve”, inspektime të jashtëzakonshme në 9 shkolla të Karposhit

“Helmimi i nxënësve”, inspektime të jashtëzakonshme në 9 shkolla të Karposhit

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Pas dyshimit për helmimin e dhjetëra nxënësve në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov” në komunën e Karposhit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kryen kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese në kuzhinat e nëntë shkollave të tjera fillore, të cilat furnizohen nga i njëjti operator ushqimor “Vanilla Food”. Ky operator ushqimor menaxhon edhe depon qendrore që ndodhet në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov”, nga e cila sigurohen lëndët e para për përgatitjen e ushqimit.

“Si pjesë e kontrolleve parandaluese emergjente në këto shkolla, ku asnjë fëmijë nuk ka shfaqur simptoma të helmimit nga ushqimi, po merren mostra nga ushqimi dhe mjetet e punës për testime laboratorike. Agjencia është duke pritur rezultatet e analizave në mostrat e ushqimit dhe sipërfaqet e punës të marra si pjesë e kontrollit inspektues emergjent të djeshëm”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Instituti i Shëndetit Publik ende nuk ka rezultate përfundimtare lidhur me dyshimet për helmimin e dhjetëra fëmijëve. Nga atje sqarojnë se për rezultatet e analizave nga të gjitha mostrat e mbledhura nevojiten deri në 48 orë. Në ndërkohë, nga Klinika e Fëmijëve është kërkuar material shtesë për analizë, në mënyrë që të verifikohet edhe mundësia e pranisë së viruseve apo parazitëve tek fëmijët e shtruar.

“Deri më tani në mënyrë zyrtare janë raportuar 20 raste të fëmijëve, prej të cilëve shtatë fëmijë në bazë të anketave epidemiologjike tregojnë se nuk kanë pasur asnjë kontakt me kuzhinën në shkollë. Dhe këto 20 raportime janë vetëm fëmijë, kemi raportime telefonike edhe nga katër profesorë nga ajo shkollë por nuk kemi raportim zyrtarë nga ana e tyre”, deklaroi Marija Andonovska, Drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik.

Në Klinikën e Fëmijëve aktualisht po trajtohen pesë pacientë me simptoma të ngjashme, probleme në stomak dhe të vjella, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Momentalisht kemi pesë pacientë, fëmijë të cilët vijnë nga e njëjta shkollë, të cilët kanë simptomatologji të ngjashme, kanë ardhur me dhimbje në bark, vjellje disa prej tyre kanë pasur edhe diarre edhe temperaturë të lartë trupore, që dyshohet për ndonjë toksi infeksion alimentar. Ajo që është me rëndësi është që kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor, gjendja e tyre mjekësore është përmirësuar dukshëm, momentalisht janë në gjendje stabile”, u shpreh Rexhep Memedi, drejtor në Klinikën e Fëmijëve.

Nesër pritet të dalin rezultatet e para nëse bëhet fjalë për helmim apo ndonjë infeksion tjetër të mundshëm. Ndërkaq, Inspektorati Shëndetësor ka mbyllur kuzhinën e shkollës si një burim i mundshëm infeksioni. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button