Heshtje nga Bullgaria për planin aksionar

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut lidhur me bisedimet që vendi realizon me ndonjërin nga fqinjët, i marrin nga mediat apo figurat politike të palës tjetër. Gjatë bisedimeve me Greqinë fqinje për ndryshimin e emrit, propozimi fillimisht u bë publik në mediat greke. Së fundmi nga mediat bullgare mësuam se përfaqësuesit të vendit në bisedimet me Bullgarinë, Vllado Buçkovski, i është dorëzuar plan aksionar. Ndërkohë institucionet nuk jepnin asnjë informacion. Një qasje e tillë  jo transparente e institucioneve në vend, sipas komunikologes  Zhaneta Trajkovska, ngjall dyshimin se diçka po fshihet. Kjo, sipas saj, shton mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve në vend dhe i lehtëson palës tjetër të japë porosinë që dëshiron.

 Tani kemi krijuar përshtypjen që njëra palë, pala bullgare vetëm thotë se çfarë duhet të zbatojmë dhe se nuk bëhet fjalë për bisedime, por për urdhra, të cilat ne si pale më e vogël apo palë që ka dëshirë të nisë bisedimet duhet t’i zbatojë dhe se nuk kemi të drejtë për koment apo mendim. Por, thjesht duhet të ndodhë. Prandaj nuk e dimë sa pika janë, është aneks, apo bëhet fjalë për përgjigje ndaj dokumentit tonë,  që e kemi dërguar dhe kështu me radhë. Kjo shkakton pasiguri dhe mungesë besimi tek qytetarët, ndërkohë që mediat e kanë patjetër të ofrojnë informacionin. Nëse nuk e ofrojnë nga burimet tona, do të sjellin informacionet nga fqinjët dhe do të jepet si përfundim porosia që pala tjetër dëshiron’ deklaroi Zhaneta Trajkovska- komunikologe.

Ky veprim i institucioneve në  vend është manifestim i mospasjes së një strategjie për zgjidhjen e problemit. Kështu mendon komunikologia Mihajllovska, sipas së cilës transparenca e institucioneve do të përmirësonte pozicionin e vendit tonë në procesin negociator.

 Është pak e habitshme që përfaqësuesit tanë zyrtarë japin informacione gjysmake, ndërsa mënyra se si i marrim informacionet për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me identitetin tonë shkakton konfuzion’ pohoi Magdalena Mihajllovska-Komunikologe

Sipas saj, institucionet kanë të drejtë të vendosin se cilat informacione do t’i plasojnë për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve të tilla të ndjeshme dhe të ndërlikuara, por në anën tjetër nuk duhet të jenë tërësisht të mbyllura.

Përgatiti: Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button