Heshtje për kompanitë që keqpërdorën paratë për ballafaqim me korona-krizën

Dy muaj pas skandalit që tronditi sektorin privat me keqpërdorimin e ndihmës shtetërore për punëtorët, prokuroria ende nuk zbulon deri ku ka arritur hetimi. Nga Prokuroria Themelore Publike për Alsat vetëm thanë se lënda është në procedurë para hetimore, e cila aktualisht po zhvillohet në fshehtësi. Ajo që është e njohur për opinionin është se janë ngritur padi për mbi 200 kompani që morën para nga shteti për pagat e punonjësve, por pronarët kishin vendosur paratë t’i mbanin për vete.

Prokuroria Themelore Publike:

“Në interes të procedurës, prokuroria momentalisht nuk është në gjendje të ndajë hollësi.”

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, institucioni i cili i pari paralajmëroi për abuzime të tilla nga disa punëdhënës, për Alsat thonë se do të kërkojnë një takim urgjent me prokurorinë në mënyrë që çështja të mos “heshtet”.

Institucionet shtetërore patjetër të mbajnë llogari, sepse nga njëra anë ata ishin që u dhanë mjetet financiare punëdhënësve. Ndërsa ata i abuzuan dhe nuk ua paguan punëtorëve dhe për herë të dytë nuk paguan pagat, dhe me këtë nuk paguan kontributet e detyrueshme për sigurim social dhe nuk i kthyen paratë në buxhet”-tha Slobodan Trendafillov,  LSM.

Njoftimi i parë për ndërmarrjet që keqpërdorën paratë e shtetit tejkalonte numrin 600, por për pak ditë shumica e punëdhënësve i paguan paratë në llogaritë e punëtorëve dhe kështu shpëtuan  nga akuza penale. Ndihma shtetërore ishte për rroga minimale për punëtorët në sektorët më të goditur nga kriza e pandemisë. Nga Qeveria thanë se punëdhënësit patjetër do duhet t’i kthejnë paratë e shtetit dhe të gjejnë mjete tjera për pagesën e rrogave për punëtorët e tyre. Për më tepër, ata nuk do munden të aplikojnë dhe të marrin ndihma shtetërore të parapara  me masat e reja të Qeverisë.

Ile Petrevski

LEXO EDHE:

Back to top button