“Higjiena Komunale” Shkup nis aksion për pagesën e borxheve – miliona euro detyrime nga qytetarët dhe institucionet
Gazetar: Avni Tahiri
Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” në Shkup, ka nisur aksion për pagesë të borxheve të prapambetura. Nëse nuk kryhet pagesa deri në afatet e parapara qytetarët do të duhet të përballën me përmbarues e xhirollogari të bllokuara. Por nuk janë vetëm një pjesë e qytetarëve që nuk kanë shlyer pagesat ndaj ndërmarrjes. Sipas informatave tona, shumë institucione publike si; shkolla, çerdhe, klinika por edhe komuna, kanë borxh ndaj “Higjienës Komunale” të Shkupit. Disa nga këto institucione, sipas informatave, madje për rreth 15 vite nuk kanë shlyer detyrimet.
“Deri më 21.04.2026, detyrimet e Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale – Shkup nga qytetarët arrijnë në mbi 7 milionë euro (pjesa e pa paditur) dhe mbi 15 milionë euro (pjesa e paditur), ndërsa te personat juridikë borxhi ndaj Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale Shkup, arrin në mbi 1 milionë euro (pjesa e pa paditur) dhe mbi 9 milionë euro (pjesa e paditur)”, thonë nga Higjiena Komunale – Shkup.
Qytetarët nga ana tjetër thonë se janë të rregullt me pagesat por shtojnë se nuk marrin shërbimin e duhur kur behet fjalë për higjienën publike. Ata thonë se përballën me mos grumbullim të rregullt, kontejnerë të shkatërruar dhe mos pasje të mundësisë së ndarjes së mbeturinave për riciklim.
”Paguajmë në rregull por nuk është edhe aq pastër. Duhet të pastrohet siç duhet nëse duhet të mirëmbahet. Nga cila komunë jeni ju? Nga Gazibaba. Atje si është? Edhe atje njësoj, duhet të pastrohet pasi paguajmë në rregull, paratë i marrin por pastërtia nuk është siç duhet”, thotë një qytetar.
”Pastrojnë atje ku jam. Në qendër jetoj, por mundët edhe më mirë ta bëjnë punën por sa mundën aq”, thotë një qytetar tjetër.
”Tani kanë filluar por nuk ka drejtor siç duhet por edhe duhet të paguhen punëtorët siç duhet”, u shpreh një qytetar.
Sa i përket aksionit të pagesave të faturave të prapambetura, nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale”, Shkup, thonë se qytetarët do të kenë mundësinë që të shlyejnë detyrimet e tyre pa u llogaritur kamata për vonesë në pagesë. Kjo mundësi është e kufizuar në kohë dhe do të vlejë deri më 5 qershor 2026./Alsat.mk.









