Nga: Gregory Wakeman / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur Charlie Chaplin u pyet nga revista Life, në vitin 1966, se cilin nga filmat e tij e konsideronte më të preferuarin, ai vlerësoi Dritat e qytetit [City Lights], përpara se të minimizonte arritjet e tij me, “Mendoj se është i qëndrueshëm, i realizuar mirë”.
Që nga premiera e tij në Kinemanë e Los Anxhelosit më 30 janar 1931, adhuruesit e kinemasë dhe regjisorët kanë bërë lëvdata paksa më entuziaste për komedisë romantike pa zë, në të cilën personazhi i Vagabondit [Tramp] i Chaplinit bie në dashuri me një shitëse të verbër lulesh (Virginia Cherrill) e cila e ngatërron atë me një milioner.
Kur Instituti Britanik i Filmit [BFI] publikoi, në vitin 1952, listën e parë të tij të famshme të filmave më të mirë të të gjitha kohërave, Dritat e qytetit u rendit i dyti bashkë me Ethet e arit [The Gold Rush, 1925] të Chaplinit. Stanley Kubrick, Orson Welles dhe Andrei Tarkovsky e kanë përmendur si një nga filmat e tyre të preferuar, ndërsa skenaristi i Natës së gjuetarit [The Night of the Hunter], James Agee, shkroi se përmbante “pjesën më të madhe të aktrimit dhe momentin më të lartë në filma”.
Lexo po ashtu:
– Gjeniu i harruar i muzikës: Charlie Chaplin
– Dështimi i Chaplinit në garën e “Chaplinit”
– Charlie Chaplin dhe një nga fjalimet më të fuqishme në histori
– Orson Wellesi përçmues: Laurence Olivier ishte “budalla”, Spencer Tracy “i urryer”, Charlie Chaplin “arrogant” …
– Kur fillova ta doja veten
– Thënie të Chaplinit: Mund të përkulesh e të mos kapësh asgjë në tokë!
– U solla si hajvan … më mbetej të vuaja!
Momenti në fjalë vjen pikërisht në fund të Dritave të qytetit. Më në fund i ribashkuar me vajzën e luleve, e cila tani sheh, Vagabondi e shikon atë me dashuri, ndërsa kamera errësohet.
Është një skenë me emocione të pastra dhe me ndjeshmëri të thjeshtë, i cili përmendet rregullisht si përfundimi më madhështor në historinë e kinemasë. Në 95 vjetët që nga publikimi i Dritave të qytetit, filma të panumërt kanë tentuar të imitojnë artin e tij të ndjeshëm dhe fuqinë e interpretimit.
Skenë nga filmi “Dritat e qytetit”(Alamy)
Vite të tëra të mundit dhe vuajtjeve krijuese u investuan për të realizuar sekuencën e fundit, e cila funksionon vetëm sepse akti i fundit i Dritave të qytetit e përgatit atë kaq mirë. Pasi Vagabondi mëson se vajza e luleve do të dëbohet nga apartamenti i saj, ai punon si pastrues rruge, pastaj si boksier. Më në fund merr para nga një milioner i dehur i cili e harron atë sapo kthjellet – dhe e akuzon Vagabondin për vjedhje. Pak përpara se Vagabondi të arrestohet, ai i jep vajzës paratë. Ajo arrin të paguajë qiranë dhe të takojë një mjek që mund të shërojë verbërinë e saj.
Disa muaj më vonë, kur Vagabondi lirohet nga burgu, ai zbulon se ajo tani shikon dhe drejton një dyqan të suksesshëm lulesh. Vagabondi, i sfilitur, shfaqet jashtë. Kur ajo më në fund e njeh, një shprehje e thellë dashurie shfaqet në fytyrën e saj. Ai buzëqesh, ndërsa filmi përfundon.
“Ishte aq i dëlirë”
Charles Marland, autor i librit Klasikët e BFI-së [BFI Classics], kushtuar Dritave të qytetit, beson se skena e fundit është shembulli përfundimtar i mjeshtërisë së Chaplinit si regjisor. “Ai e dinte si t’i kornizonte planet për të intensifikuar efektin emocional të skenës. Kamera ngushtohet nga një plan mesatar në një plan të afërt”, i thotë ai BBC-së, përpara se të theksojë se Chaplini njëherë ka thënë se përdorte plane të gjata për komedinë dhe plane të afërta për tragjedinë dhe dramën. “Pastaj është kolona zanore, e cila është komplekse, emocionale, dhe ngjall një reagim intelektual”.
Të gjitha këto nuk do të kishin asnjë vlerë pa interpretimet e Chaplinit dhe Cherrillës, e cila në mënyrë të jashtëzakonshme bëri debutimin e saj filmik me Dritat e qytetit. Pasi xhiruan disa skena të shkëmbimit të fundit të tyre, Chaplini kuptoi se po e tepronin, po aktronin dhe po ndjenin së tepërmi, thotë Marland. Kështu që Chaplin vendosi që Vagabondi duhej vetëm ta shikonte atë me më shumë intensitet. Sipas Marlandit, Chaplini e përshkroi njëherë xhirimin e sekuencës si “një ndjesi të bukur të mungesës së aktrimit. Si të isha jashtë vetes. Çelësi ishte të isha paksa i turpëruar, i gëzuar për ta parë sërish, i penduar pa u bërë emocional. [Vagabondi] po e shikonte dhe po pyeste veten çfarë po mendonte ajo. Ishte aq e pastër”.
Skenë nga filmi “Dritat e qytetit”(Alamy)
Vite pas publikimit të Dritave të qytetit, Cherrill i tha autorit të librit Çaplini: Gjeniu i kinemasë [Chaplin: Genius of the Cinema], Jeffrey Vance, se Chaplini zakonisht kishte lëkurë të thatë, por ndjeu se pëllëmba e tij bëhej e lagësht teksa i afroheshin performancës së kërkuar. “Ajo e dinte se po ndodhte diçka e pazakontë me të”, ka thënë Vance për BBC-në. “Se ajo po ia jepte atij atë që dëshironte dhe ai po reagonte ndryshe. Ai po reagonte si personazhi”.
Një arsye thelbësore pse Dritat e qytetit ka vazhduar të jehojë gjatë dekadave është vendimi i Chaplinit për të prerë skenat para se të jepte një zgjidhje përfundimtare. Romantikët do të pretendojnë se, pavarësisht pamjes së tij të vjetër dhe mungesës së parave, vajza e luleve e pranon Vagabondin pas asaj që ai bëri për të. Por, ka të tjerë që besojnë se nuk ka asnjë shans që ajo të largohet me të drejt një romanse.
“Nuk mendoj se është romantike”, thotë Vance. “E shohim sqimën e saj kur i rikthehet shikimi. Ajo shikon në pasqyrë. Rregullon flokët. Zhgënjehet që burri i pasur nuk është ai. Kur e sheh për herë të parë Vagabondin, ajo buzëqesh dhe i jep para nga keqardhja”. Duke kaluar nga i gëzuar, i frikësuar, i turpëruar, tek i emocionuar, interpretimi i Chaplinit në ato momente përfundimtare është aq i shtresuar dhe i përmbajtur saqë e lë te shikuesi vendimin për atë që ndodh më pas.
Thjesht më i miri?










